Lajme

Fejza: Sulmi ndaj Hysni Mehanit është sulm ndaj demokracisë

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete, Arjeta Fejza, ka thënë se sulmi fizik i kryetarit të Skenderaj, Sami Lushtaku, ndaj kryetarit të qendrës së LVV-së në këtë komunë, Hysni Mehani, nuk është vetëm sulm ndaj Mehanit, por edhe ndaj demokracisë.

Fejza, e cila ishte e pranishme në momentin e incidentit, ka deklaruar të mërkurën në emisionin “Ditari” në Tëvë1 se institucionet e sigurisë duhet të tregojnë kujdes të shtuar në raste të tilla, për shkak të ndikimit që ato kanë në funksionimin demokratik të vendit.

Ajo ka theksuar se nuk kishte pasur asnjë komunikim paraprak me Lushtakun dhe se incidenti kishte ndodhur papritur.

“Kam qenë vetë prezente kur ka ndodhur incidenti. Në lidhje me këtë, e kam kryer obligimin tim ndaj Policia e Kosovës, ku kam dhënë deklaratë si dëshmitare e rastit. Për këtë situatë, e kam thënë dhe vazhdoj ta them se ky nuk është thjesht një sulm ndaj zëvendësministrit, por një sulm ndaj demokracisë. Këtë rast e kam parë me shqetësim të madh. E kam shpjeguar tashmë se si ka ndodhur ngjarja, pra faktin që ne nuk kemi pasur asnjë komunikim paraprak me Sami Lushtaku. Ai është afruar dhe e ka sulmuar Hysni Mehani”, ka deklaruar Fejza.

Sa i përket pranisë së Forcave të Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës në Skenderaj natën e incidentit, dhe pretendimeve të zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës se prezenca e tyre ishte provokim, Fejza është shprehur se këto janë çështje të brendshme të Policisë së Kosovës.

“Këto janë çështje të Policisë së Kosovës dhe sigurisht që policia duhet të jetë prezente kudo në territorin e Republikës së Kosovës. Ato janë çështje të brendshme të tyre, por sa i përket incidentit, unë po e them sërish se besoj që institucionet tona të rendit duhet të veprojnë në këtë drejtim. Nuk është hera e parë, siç e përmendi edhe kryeministri, që ka pasur probleme të kësaj natyre në Skenderaj. Unë besoj që institucionet tona, sidomos ato të sigurisë, duhet të jenë shumë të vëmendshme në raste të tilla, për shkak të peshës që këto raste kanë në mirëfunksionimin e demokracisë. Sepse, po e them sërish, ajo që ka ndodhur në Skenderaj nuk është vetëm sulm ndaj Hysni Mehanit, por ndaj demokracisë. Po flasim për një rast ku një kryetar komune sulmon një zëvendësministër teksa ky i fundit është duke pirë kafe në një lokal në qendër të qytetit. Pra, kaq e thjeshtë është situata”, ka përfunduar ajo./teve1.info/

 

Të Ngjashme