Kuriozitete

Fëmijët kanë më shumë gjasa të shkojnë në shkollë në këmbë ose me biçikletë nëse e kanë bërë edhe prindërit e tyre

Një studim finlandez ka zbuluar se fëmijët e prindërve që kanë ecur ose kanë përdorur biçikletën për të shkuar në shkollë kanë më shumë gjasa të ndjekin të njëjtin zakon. Ky “efekt ndërbreznor” tregon se mënyrat aktive të udhëtimit ndikohen ndjeshëm nga përvojat dhe qëndrimet e prindërve.

E publikuar në European Journal of Public Health, kërkimi shqyrtoi të dhëna nga 660 çifte prind-fëmijë. U analizua udhëtimi i brezit të parë midis viteve 1980–1986 dhe i fëmijëve të tyre në vitin 2018. Studiuesit morën parasysh faktorë si distanca deri në shkollë, mosha, zona e banimit, gjinia, arsimi i prindërve dhe të ardhurat familjare.

Image

Udhëheqësja e studimit, dr. Tuuli Suominen nga Universiteti i Jyväskylä-s, tha se lidhja ishte modeste, por domethënëse: prindërit që kanë përvojë pozitive me ecjen ose çiklizmin priren ta inkurajojnë edhe tek fëmijët. Ky ndikim është më i fortë gjatë viteve të shkollës fillore, ndërsa më vonë pesha e bashkëmoshatarëve bëhet më e madhe.

Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se zakonet e aktivitetit fizik shpesh kalojnë nga një brez tek tjetri. Për fëmijët dhe adoleshentët, ecja ose përdorimi i biçiklet[s për në shkollë është një burim i rëndësishëm i aktivitetit të përditshëm.

Dr. Suominen theksoi se përballë rritjes së joaktivitetit fizik tek të rinjtë, promovimi i udhëtimeve aktive në shkollë është thelbësor. Mbështetja e prindërve, bashkë me strategji më të gjera shoqërore, mund të krijojë zakone më të shëndetshme dhe të qëndrueshme jo vetëm për fëmijët e sotëm, por edhe për gjeneratat e ardhshme. / Talker News – Syri.net

Të Ngjashme