Leucemia limfocitare akute është një nga llojet më të zakonshme të kancerit te fëmijët, ndonëse mbetet e rrallë. Kjo sëmundje fillon në palcën e kockave dhe përparon shpejt. Edhe pse normat e mbijetesës afatgjatë kalojnë 90%, shumë fëmijë të mbijetuar përballen me sfida të përhershme shëndetësore, si probleme të zemrës, vështirësi të shëndetit mendor dhe rrezik të shtuar për kancer të dytë.
Ndërsa normat e përgjithshme të kancerit në SHBA kanë rënë që nga viti 2002, rastet e leucemisë limfocitare akute te fëmijët kanë vazhduar të rriten, një trend që nënvizon nevojën për parandalim, përveç trajtimit.
Literatura shkencore në rritje sugjeron se ekspozimi ndaj kimikateve të emetuara nga puset e naftës dhe gazit natyror lidhet me rrezik të shtuar për zhvillimin e leucemisë te fëmijët. Dy studime të realizuara në Kolorado dhe Pensilvani, shtete ku zhvillimi i industrisë së naftës dhe gazit ka ndodhur afër zonave të banuara, tregojnë rezultate shqetësuese.
Të dy studimet përdorën modelin “rast-kontroll”, ku krahasuan fëmijët me kancer me ata pa kancer. Ato analizuan të dhëna nga regjistrat shtetërorë të lindjeve dhe kancerit, si dhe përdorën teknika hartografike për të vlerësuar ekspozimin gjatë periudhave të ndjeshme si shtatzënia dhe fëmijëria e hershme.
Në Kolorado, studimi përfshiu 451 fëmijë me leucemi dhe mbi 2700 pa kancer. U zbulua se fëmijët e moshës 2–9 vjeç që jetonin brenda 13 kilometrave nga puset më të dendura dhe aktive kishin të paktën dy herë më shumë gjasa për t’u diagnostikuar me këtë formë kanceri. Rreziku ishte më i lartë për ata që jetonin brenda 5 kilometrave nga puset.
Në Pensilvani, 405 fëmijë me leucemi dhe mbi 2000 pa kancer u analizuan. Ata që kishin lindur brenda 2 km nga puset kishin dy deri në tri herë më shumë rrezik për të zhvilluar sëmundjen. Rreziku ishte më i madh kur ekspozimi ndodhte gjatë shtatzënisë.
Studime të mëparshme në Kolorado kanë gjetur lidhje të ngjashme, fëmijët me leucemi kishin katër herë më shumë gjasa të jetonin pranë puseve të naftës dhe gazit.
Procesi i nxjerrjes së naftës dhe gazit përdor pajisje të rënda që injektojnë ujë dhe kimikate nëntokë. Këto procese lëshojnë ndotës të njohur për shkaktimin e kancerit, si benzeni, në ajër dhe ujë. Me mbi 1 milion puse aktive në SHBA, shumë prej tyre afër shtëpive, miliona fëmijë janë potencialisht të ekspozuar.
Politikat aktuale shtetërore përfshijnë distanca minimale midis puseve dhe banesave, që variojnë nga 60 deri në 1000 metra. Megjithatë, këto masa nuk janë të mjaftueshme për të mbrojtur fëmijët, pasi ndotja ajrore dhe ujore nuk ndalet brenda këtyre kufijve.
Studiuesit kërkojnë politika më të forta, që përfshijnë distanca më të mëdha, kontroll të detyrueshëm të ndotjes dhe monitorim të vazhdueshëm të puseve ekzistuese.
Nevojitet kërkim shtesë në shtete të tjera me zhvillim të ngjashëm industrial, si Teksasi dhe Kalifornia, si dhe për forma të tjera të kancerit fëmijëror, përfshirë leuceminë mieloide akute, që lidhet me ekspozimin ndaj benzenit.
Megjithëse ende ka të panjohura, provat ekzistuese dhe rreziku serioz i leucemisë te fëmijët tregojnë nevojën për masa më të forta mbrojtëse dhe politika që marrin në konsideratë ndotjen, ekspozimin dhe faktorët socio-ekonomikë që prekin fëmijët dhe komunitetet e tyre. / The Independent – Syri.net
