Kuriozitete

Fenomeni i beqarisë: Më shumë njerëz zgjedhin vetminë si stil jete

Internetin e kanë pushtuar historitë e të rriturve që vajtojnë beqarinë, nga rrëfime për “vetminë e përjetshme” te miliona video në TikTok me hashtag #takime, ku përdoruesit shprehen se “nuk do ta gjejnë kurrë dashurinë”.

Por ekspertët thonë se kjo prirje reflekton një realitet të ri shoqëror – rritjen e numrit të njerëzve që jetojnë vetëm, jo nga mungesa e mundësive, por si zgjedhje.

“Është e thjeshtë, ka më shumë beqarë tani sesa më parë”, thotë profesori i psikologjisë në Universitetin e Torontos, Jeff MacDonald, i cili ka studiuar marrëdhëniet moderne për vite me radhë. Sipas një studimi të Qendrës Kërkimore Pew, në vitin 1990, 59% e të rriturve në Evropë dhe Amerikë ishin të martuar, ndërsa në vitin 2023 kjo shifër ra në 51%.

MacDonald thekson se rritja e beqarisë vjen nga kombinimi i faktorëve socialë dhe teknologjikë. “Sot është shumë më e lehtë të jetosh vetëm falë internetit, shpërndarjes së ushqimit dhe blerjeve online. Njerëzit mund të marrin pothuajse gjithçka që më parë ua ofronte një marrëdhënie,” shpjegon ai.

Profesori thekson se ndryshimet në rolet gjinore kanë luajtur një rol të madh. “Në të kaluarën, gratë ishin të varura financiarisht nga burrat. Sot, ky motiv për martesë ose bashkim praktikisht nuk ekziston,” shton ai, duke nënvizuar se me rritjen e pavarësisë ekonomike, gratë po zgjedhin më shpesh të jetojnë të vetme.

Ndërkohë, marrëdhëniet romantike janë bërë më kërkuese. “Sot njerëzit presin më shumë stimulim intelektual, mbështetje emocionale dhe ndjenjë aventure. Më parë, një partner duhej vetëm të siguronte stabilitet, por tani kërkohet përmbushje personale,” thotë MacDonald.

Studimet tregojnë gjithashtu se gratë, mesatarisht, janë më të lumtura në vetmi sesa burrat. Kjo, sipas profesorit, lidhet me faktin që gratë ruajnë më mirë lidhjet shoqërore dhe familjare, ndërsa burrat shpesh mbështeten vetëm te partnerja për mbështetje emocionale.

Hulumtimet tregojnë se beqarët më të kënaqur janë zakonisht mbi 40 vjeç dhe pjesë e komunitetit LGBTQ+, për të cilët presioni për t’iu përshtatur normave tradicionale është më i ulët. Megjithatë, të ardhurat e larta nuk e garantojnë lumturinë në vetmi. “Paratë e lehtësojnë jetën, por shumë njerëz ndjejnë se mungon dikush me të cilin të ndajnë përvojat,” shton MacDonald.

Rreth 15% e beqarëve, sipas studimeve, nuk kanë aspak dëshirë për një lidhje romantike, çka tregon se gjithnjë e më shumë persona po e zgjedhin vetminë me vetëdije. “Të jesh i mirë në një marrëdhënie do të thotë të jesh i mirë me veten. Dhe të jesh i mirë vetëm do të thotë të njëjtën gjë,” përfundon profesori.

Të Ngjashme