Policia e Kosovës ka identifikuar një person të dyshuar për dhunë në familje në Ferizaj, pas qarkullimit të një video-incizimi në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti është raportuar më 19 tetor, rreth orës 19:50, pasi në rrjetet sociale po qarkullonte një video në të cilën dëgjohej një person duke bërtitur, çka ngriti dyshime për dhunë në familje.
Njësitë reaguese kanë identifikuar lokacionin në rrugën “Remzi Hoxha”, ku kanë shoqëruar në stacionin policor një 36-vjeçar për intervistim dhe sqarimin e rrethanave të rastit.
Për këtë rast është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar hetuesit e dhunës në familje që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.
