Lajme

​Fermerët e Qumështit – AUV-it: Publikoni rezultatet për qumështoren “Vita”, në të kundërtën protestë e paparë

Shoqata Fermerët Kosovarë të Qumështit reaguan në lidhje me konferencën për media të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë(AUV) për gjendjen e krijuar në qumështoren “Vita” në Istog, duke vlerësuar se në këtë konferencë për media nga ana e AUV-it nuk u tha asgjë e re, ndërsa fermerët po presin rifillimin e marrjes së qumështit të freskët.

Shoqata Fermerët Kosovarë të Qumështit kërkoi që Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të publikojë rezultatet e mostrave të marra nga Qumështorja “Vita” të muajve prill dhe maj.

“Pse i tërë ky hezitim? Po e përsërisim, në të kundërtën mosgrumbullimi do të pasojë me një protestë të paparë në Prishtinë.

Lutje publike: Publikoni rezultatet për mostrat e muajit prill dhe muajit maj 2026 në mënyrë të shmanget një situatë e pakëndshme për gjithsecilin”, shkroi në Facebook, Shoqata Fermerët Kosovarë të Qumështit.

Nga ana tjetër, më herët gjatë ditës, Komisioni për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konstatuar se fabrika e qumështit “Vita” ka shkelur vendimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja të 10 majit 2026, me të cilin ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në fabrikat për përpunimin e qumështit.

Megjithatë, AUV thekson se gjetjet përfundimtare do të bëhen publike vetëm pas përfundimit të analizave laboratorike.

Në konferencën për media, kryesuesi i Komisionit për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve dhe udhëheqësi i Zyrës Rajonale të Prizrenit, Durak Zyraku, tha se konstatimi i komisionit bazohet në gjetjet e inspektorëve që kanë qenë në terren.

Të Ngjashme