Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën Rodhopi në Greqi, ku 44-vjeçarja shqiptare Esma Meço u vra me thikë nga bashkëshorti i saj 53-vjeçar, Bujar Meço mesditën e sotme
Sipas mediave greke, gruaja kishte kohë që ishte larguar nga shtëpia dhe punonte sezonalisht në ishullin Thasos, ndërsa ishte kthyer në fshatin Dialambi për të festuar ditëlindjen e vajzës së saj 16-vjeçare.
Festimi familjar përfundoi në tragjedi. 53-vjeçari dyshohet se e sulmoi gruan dhe e goditi me thikë në qafë, duke i shkaktuar plagë fatale.
Pas ngjarjes, djali 19-vjeçar i çiftit e mori nënën e tij të gjakosur në krahë dhe e çoi në spital, me shpresën se mund të shpëtonte. Megjithatë, mjekët e njoftuan të riun se nëna e tij kishte ndërruar jetë.
Ndërkohë, vajza 16-vjeçare, e cila ndodhej në një dhomë tjetër të banesës, dyshohet se ka telefonuar autoritetet për të njoftuar për sulmin. Të dy fëmijët ndodhen në gjendje shoku.
Pas sulmit, 53-vjeçari dyshohet se është vetëplagosur dhe ka konsumuar naftë, në tentativë për t’i dhënë fund jetës. Ai u transportua në spital, ku po trajtohet nën kujdesin e policisë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka sekuestruar dy thika nga vendi i ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit. Për 53-vjeçarin është ngritur një çështje penale për vrasje me dashje, dhunë në familje dhe shkelje të ligjit për armët.
Sipas autoriteteve greke, autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes, ndërsa hetimet paraprake po kryhen nga Departamenti i Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Komotini.
Një detaj i rëndësishëm i bërë publik nga autoritetet është se në vitin 2022, në Heraklion të Kretës, 53-vjeçari ishte arrestuar për kërcënime në familje ndaj së njëjtës grua.
Policia vijon hetimet, ndërsa deklarimet e dy fëmijëve pritet të merren në ditët në vijim për të hedhur më shumë dritë mbi momentet para dhe gjatë krimit./Top Channel
