
Nga Anton Marku, Vjenë – Në njërën nga sallat koncertale, pothuajse në qendër të Vjenës, të stolisur me flamuj kombëtar dhe plisa të bardhë, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” përmbylli edhe një vit të suksesshëm të veprimtarisë së saj.
Kësaj radhe, përpos anëtarëve të saj, këtë ngjarje e bëri edhe më madhështore pjesëmarrja e dy poeteshave të njohura nga Prishtina, Donika Dabishevci dhe Alketa Gashi-Fazliu.
Në fillim, të pranishmit i përshëndeti nikoqiri, Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, duke i dhënë fjalën Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Vjenë, Fate Velajt. Ambasadori, edhe vet shkrimtar, theksoi rëndësinë që ka arti në përcjelljen e mesazheve të paqes kudo në botë.
Aktiviteti letrar ishte e ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë në skenë dolën autorët shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare në Ballkan, me banim në Austri. Kështu Violeta Allmuça lexoi poezitë “Njeri i dashuruar”, “Pas vetes” dhe “Gjakovë”, Kimete Krasniqi – Prebreza deklamoi vargje nga “Për këtë tokë – për këtë flamur” për t’i lënë radhën poetit veteran Zaim Toska, i cili recitoi poezitë “Veleshtes sime” dhe “Dëshmorëve të lirisë”.
Poetesha e re shkodrane Gabriela Mujaj mahniti publikun me ‘‘Pasqyrë” dhe ‘‘Polidhimtë” ndërsa kulmi artistik u arrit me interpretimin e Kimete Zahiti-Ternava të poemës së mirënjohur “Vranina” nga At Gjergj Fishta.
Në pjesën e dytë të mbrëmjes me librat e tyre së pari u prezantua Gjergj Kola me romanin “Bazilika e Gjergj Kastriotit”.
Një vështrim të shkurtër për librin për fëmijë të Angjelina Markut e lexoi Violeta Allmuça, duke e lënë vend autores që të lexojë disa fragmente të shkurtra nga libri i saj.
Ky eveniment u pasurua edhe me përmbledhjet me poezi “E gjithkoshmja andërr” të Donika Dabishevcit dhe “Gjarpëri i fqinjit” të Alketa Gashi-Fazliut.
E para u paraqit me një kumtesë dhe deklamoi vargje nga tri poezi nga libri, ndërsa e dyta iu përgjigj pyetjeve të bëra në një bashkëbisedim me udhëheqësen e programit, Kaltrina Durmishi, lidhur me motivet dhe inspirimin për të shkruar.
Performanca e të dy shkrimtareve të ardhura enkas për këtë eveniment nga Prishtina u duartrokit gjatë nga publiku i pranishëm.
Mbrëmjes i dhanë një sharm edhe më kombëtar këngët e interpretuara nga Blerta Ismajli, Mezzosoprano, shoqëruar në piano nga Vlora Melchard: |Ishte një ditë e muajit të majit”, “Tumankuqe” dhe “O vendi im”.
Publiku mirëpriti këtë manifestim letrar, i cili dëshmoi se edhe larg atdheut mund të promovohet kultura shqiptare, me fokus në letërsinë, me qellim të kultivimit dhe afirmimit të gjuhës shqipe në mërgatë./rajonipress/

