Festivali ndërkombëtar “Sunny Hill” rikthehet edhe këtë vit në Prishtinë, ku nga 31 korriku deri më 2 gusht do të ngjiten në skenë disa nga emrat më të njohur të muzikës botërore, nën organizimin e këngëtares shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.Një nga veçoritë e këtij edicioni është prania e simbolit të flamingove në hyrje të festivalit, një element që lidhet me protestat e zhvilluara në Shqipëri, të cilat nisën në Zvërnec dhe më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë qytetare.
Dua Lipa kishte shprehur më herët mbështetjen e saj për këto protesta gjatë një bisede në podkastin e shkrimtares Lea Ypi, një deklaratë që tërhoqi vëmendjen edhe në mediat ndërkombëtare. Vendosja e simbolit të flamingove në ambientet e festivalit duket si një tjetër shenjë solidarizimi me kauzën mjedisore.
Në skenën e këtij viti do të performojnë emra të njohur si Katy Perry, Martin Garrix, Lewis Capaldi, Adam Port dhe Rampa nga Keinemusik, Seth Troxler, PAWSA dhe Carlita.
I themeluar në vitin 2018 nga Dukagjin Lipa dhe i promovuar në arenën ndërkombëtare nga Dua Lipa, “Sunny Hill” është kthyer në një nga festivalet më të mëdha të rajonit, duke mbledhur çdo vit mbi 100 mijë pjesëmarrës nga rreth 60 vende të botës.

