Kuzhinë

Festivali global i gastronomisë shqiptare, panairi në Berlin më 2–3 tetor

Gastronomia dhe agroturizmi shqiptar do të promovohen javën e ardhshme në kuadër të një panairi që do të mbahet në Berlin, Gjermani.

Panairi tregtar i organizuar nga shqiptarët jashtë vendit “Festivali Global i Gastronomisë Shqiptare” (GAGF) do të mbahet më 2–3 tetor në Arena Halle në Berlin.

Eventi do të mbledhë bashkë kuzhinierë, biznesmenë, personalitete shqiptare nga e gjithë bota, si dhe personalitete gjermane.

Në programin e pasur edhe me panele diskutimi janë ftuar nga Shqipëria kryeministri Edi Rama, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zëvendëskryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si edhe ministrat e linjës nga vendet shqipfolëse të rajonit.

Po ashtu të pranishëm do të jenë përfaqësues të lartë nga Komuna e Berlinit, personalitete të tjera nga biznesi dhe politika gjermane, si dhe figura të njohura shqiptare.

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, do i bashkohet panairit për të diskutuar mbi temën “Agroturizmi shqiptar: shfrytëzimi i thesarit rural, rrugët drejt zhvillimit dhe strategjitë e promovimit”. Tema për diskutim do të jenë edhe investimet e diasporës, historitë e suksesit të shqiptarëve në gastronomi dhe zhvillimet digjitale që do të transformojnë sektorin e gastronomisë.

Nën moton “Aty ku tradita takohet me tregtinë”, GAGF-ja ka për qëllim të tregojë potencialin kulturor dhe ekonomik të shqiptarëve në skenën ndërkombëtare.

Organizatorët shtojnë se në gjithë botën numërohen mbi 20 mijë restorante, bare dhe hotele, që zotërohen. Në Gjermani, Zvicër, Itali, SHBA dhe shtetet skandinave, këto biznese qarkullojnë të ardhura që arrijnë nga 200 milionë euro (Austri, 1.000 restorante shqiptare) në 3 miliardë euro (SHBA, 15 mijë restorante).

/rtsh.al/