Lajme

Festivali i 62-të i Këngës, 16 këngëtarë u ngjitën në skenë në natën e parë

Artistë të njohur të muzikës shqiptare, artistë të rinj e grupe alternative, u ngjitën sot në skenën e Festivalit të 62-të të Këngës ku dhuruan një natë plot emocione, me muzikë dhe spektakël.

Festivali i 62-të i Këngës në RTSH i cili çeli sot siparin e 4 netëve nën tingujt e muzikës kishte gjithçka, zëra të bukur, kompozime origjinale, orkestracione mjaft të spikatura, skenografi dhe regji skenike e cila nxori në pah akoma më shumë vlerat e këtij spektakli.

Këtë vit Festivali u prezantua nga Kledi Kadiu, Adriana Matoshi, Krisa Caushi dhe Xhuliano Xhule.

Kjo natë ngjiti në skenë 16 këngëtarë, përkatësisht: Stivi Ushe; Besa Kokëdhima; Mal Retkoceri; Eldis Arrnjeti; Shpat Deda; Jehona Ponari; Peter Pan Quartet; Festina Mejzini; Kastro Zizo; Luan Durmishi; Melodajn Mancaku; Olsi Ballta; Andi Tanko; Sergio Hajdini; Santino De Bartolo; Olimpia Smajlaj.

Aleksandër Gjoka, Indrit Mesiti, Adelina Ismajli, Fitnete Tuda, Elena Kadare, Natasha Lako, Anila Aliu, Shpëtim Kushta, Victor Van Vought, Zana Shuteriqi dhe Shkumbin Ahmetxheka janë 11 anëtarët e jurisë profesioniste të Festivalit të këtij viti.

Juria do të vendosë për 6 çmime, mes tyre edhe këngën fituese të çmimit të parë të Festivalit. Ndërkohë, edhe këtë vit do të jetë publiku, i cili do të vendos se cila këngë do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion.

Votimi do hapet në fund të natës së dytë, pasi janë shfaqur të 31 këngët konkurruese. Votimi do të qëndrojë i hapur deri në fund të natës finale ku do të shpallen edhe fituesit e kësaj gare plot emocione.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo