Kukullat e famshme Labubu së shpejti do të kenë filmin e tyre, kanë njoftuar kompania kineze e lodrave Pop Mart dhe Sony Pictures.
Një film për Labubu që do të realizohet me aktorë realë dhe animacion të gjeneruar me kompjuter, është në “fazat e hershme të zhvillimit”, thanë dy kompanitë në një deklaratë.
Filmi do të drejtohet nga Paul King, i njohur për veprat si ‘Wonka’ e ‘Paddington’. Ende nuk është caktuar një datë publikimi.
Labubu është kthyer një fenomen global në vitet e fundit dhe shitjet e tij e kanë shndërruar Pop Mart në një gjigant të industrisë së lodrave, me një vlerë gati 40 miliardë dollarë, duke kaluar rivalë të njohur si prodhuesi i Barbie, Mattel. Mania për Labubu e ka ndihmuar Pop Mart të zgjerohet përtej lodrave, duke operuar edhe një park tematik në Pekin. Tani kompania po hyn edhe në industrinë e filmit.
Labubu janë lodrat më të njohura të Pop Mart. Një pjesë e suksesit të tyre vjen nga fakti që shiten në kuti surprizë, ku blerësit nuk e dinë cilin Labubu do të marrin derisa ta hapin paketimin.
Vajza të famshme si Rihanna dhe Lisa nga Blackpink janë fotografuar duke mbajtur varëse Labubu në çantat e tyre luksoze.
Filmi për Labubu u njoftua në Paris të mërkurën gjatë një turneu global ekspozitash për 10-vjetorin e këtyre lodrave.
