ShowBizzz

Filloreta Balaj-Elezi, kosovarja multimilionere në Amerikë

Ka histori suksesi që tingëllojnë si legjenda urbane dhe histori që ndërtohen ngadalë, me sakrifica reale, vendime të guximshme dhe disiplinë që nuk lë vend për justifikime.
Rrugëtimi i Filloreta Balaj-Elezi i përket kësaj të dytës. Sot ajo është një nga gratë shqiptare më të suksesshme në fushën e pasurive të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me mbi 110 milionë dollarë volum total shitjesh dhe një portofol prej 25 pronash në SHBA, Kosovë dhe Shqipëri.
Por gjithçka ka nisur shumë larg luksit që e rrethon sot…

E lindur në Prishtinë, Filloreta u përball herët me pasigurinë që solli lufta në Kosovë.
Në vitin 1999 familja e saj u nis drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës si refugjate.
Ishte një fillim i vështirë, pa garanci dhe pa mbështetje financiare…
Në atë kohë nuk kishte as plane të mëdha, as lidhje biznesi, por vetëm një vendosmëri të brendshme për të mos mbetur peng i rrethanave.
Ajo e përshkruan atë periudhë si momentin kur i premtoi vetes se do të arrinte sukses, jo vetëm për ambicie personale, por për familjen dhe për ta bërë krenar babanë e saj.
Figura e Ukë Balajt, babait të saj, ka qenë boshti emocional dhe moral i gjithë rrugëtimit.
Ai mishëronte disiplinën, forcën dhe krenarinë për punën e ndershme.
Edhe pas ndarjes së tij nga jeta në vitin 2023, ndikimi i tij mbetët i pranishëm në çdo hap të saj.
Çdo arritje, çdo investim dhe çdo rekord i ri mbart edhe një dimension personal: dëshirën për ta nderuar emrin e tij.

Ndërtoi reputacion të fortë në Miçigan…
Në vitin 2006, pas martesës në Prishtinë, Filloreta dhe bashkëshorti i saj, Neziri, u kthyen në SHBA me vetëm 2.000 dollarë.
Nuk kishte plan rezervë. Kishte vetëm një etikë pune të palëkundur dhe bindja se suksesi ndërtohet me durim.
Ajo hyri në botën e shitjeve dhe shumë shpejt u dallua si shitësja numër një në “Art Van Furniture”. Ishte një fazë formuese, ku mësoi jo vetëm si të shesë, por si të kuptojë psikologjinë e klientit dhe rëndësinë e besimit.
Lëvizja vendimtare erdhi në vitin 2020, kur vendosi të kalojë në sektorin e pasurive të paluajtshme. Në një kohë kur tregjet globale përjetonin pasiguri, ajo me shpejtësi ndërtoi një reputacion të fortë në Miçigan si “REALTOR®️ në eXp Realty”.
Brenda pak vitesh ajo arriti mbi 110 milionë dollarë volum total shitjesh, realizoi 25 milionë dollarë në një vit të vetëm dhe u rendit si agjentja individuale numër një në Miçigan, duke fituar edhe titullin prestigjioz “ICON Agent”. Në Miçigan prona që zotëron ajo sot ka vlerë 1.3 milion.

Prona në Miçigan, Shëngjin, Prishtinë
Paralelisht me suksesin në shitje, ajo ndërtoi edhe portofolin e saj të investimeve.
Sot familja zotëron 19 prona në Miçigan, tri në Shëngjin dhe një në Prishtinë, shumica e tyre të shlyera plotësisht.
Një nga investimet më domethënëse në Evropë për të mbetët ai në Shëngjin, ku në vitin 2022 investoi 158 mijë euro, kurse sot ajo pronë vlerësohet rreth 300 mijë euro.
Dhe, për të kjo nuk është vetëm një rritje e kapitalit, por një lidhje simbolike me rrënjët dhe me premtimin e hershëm për të mos harruar kurrë nga erdhi.
Prishtinën ajo e sheh si një treg me energji të jashtëzakonshme dhe potencial të madh zhvillimi. Planet e saj afatgjate janë të qarta: të vazhdojë zgjerimin e portofolit në SHBA dhe, në një moment kyç të jetës, kur të arrijë 50 prona private në Miçigan apo kur t’i mbushë 50 vjet, të rikthehet më fuqishëm për të investuar dhe kontribuar në vendlindje.
Për të suksesi merr kuptim të plotë vetëm kur ndahet me komunitetin dhe vendin nga ku nisi gjithçka.

Karriera, familja dhe bamirësia – mbi të gjitha
Megjithatë, dimensioni profesional është vetëm një pjesë e portretit të saj.
E martuar prej dy dekadash dhe nënë e dy fëmijëve, Filloreta ka ndërtuar një model jete ku karriera dhe familja nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.
Ajo punon nga shtëpia dhe e konsideron kohën me fëmijët si luksin më të madh që ia ka dhënë suksesi.
Për të pavarësia financiare është formë fuqizimi, veçanërisht për gratë që kërkojnë stabilitet dhe kontroll mbi jetën e tyre.
Besimi në Zot dhe dëshira për të ndihmuar të tjerët janë pjesë thelbësore e filozofisë së saj. Ajo shpesh thekson se lutet për të pasur mundësi të japë më shumë…
Suksesi në këtë kuptim nuk është vetëm akumulim pasurie, por mundësi për të krijuar ndikim.

Ndërtoi identitet profesional në një treg shumë konkurrues
Historia e Filloreta Balaj-Elezi nuk është, thjesht, rrëfim i një ngjitjeje financiare.
Është kronika e një gruaje që doli nga një realitet i vështirë, ndërtoi identitet profesional në një treg konkurrues si ai amerikan dhe mbeti e lidhur shumë me rrënjët, familjen dhe vlerat.
Dhe, në një kohë kur suksesi shpesh paraqitet si spektakël, rrugëtimi i saj tregon se fuqia e vërtetë ndërtohet në heshtje, me vizion, disiplinë dhe një qëllim që shkon përtej vetes.

Nderim Neziri

 

Të Ngjashme