Lajme

Fitorja e Trump – Buja thotë se ka mundësi që të lirohen krerët e UÇK-së

Pas ardhjes në pushtet të administratë së re amerikane ka pasur paralajmërime se mund të ketë zhbërje të Gjykatës Speciale.

Lidhur me këtë, ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja është i mendimit se katër ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë mund të lirohen.

Ai në studion e emisionit “InfoNata” tha se nga qeverisja republikane e Donald Trump pret ndryshime.

“Pres ndryshime dhe po shpresoj që pas përfundimit të deklaratave të dëshmitarëve të Prokurorisë, nuk ka arsye as Gjykata që t’i mbajë ata të burgosur dhe ka mundësi që ata të mbrohen në liri dhe të vazhdojë pastaj procesi. Sepse, janë dy muaj të mocionit të mbrojtjes dhe Prokurorisë dhe të vazhdojë pastaj me dëshmitarët e mbrojtjes nuk besoj që ka arsye që të mbahen ata atje, por sigurisht që do të merret një vendim dhe po besoj që të lirohen dhe të mbrohen në liri e pastaj të vazhdojë procesi deri në përfundim ku mbrojtja ka mjaft argument për të rrëzuar bazën e akuzave për çka akuzohen të katërtit. Ne në vitin tjetër duhet t’i kemi me vendim të Gjykatës, e cila do t’i lirojë nga këto akuza dhe çlirimtarët tonë të na  vijnë ashtu siç dëshirojmë dhe shpresojmë që do të ndodhë”, deklaroi ai në Tëvë1.

Mirëpo ish-gjykatësi amerikan i EULEX-it, Dean Pineles në një intervistë për Tëvë1, e sheh si të pamundur zhbërjen e Gjykatës Speciale.

“Nëse administrata e re e Trump është e interesuar ta zhbëj Gjykatën Speciale, atëherë pyetja ime është si do ta bëjnë këtë? Gjykata Speciale është krijuar me ligje të Kosovës dhe me një amendament të Kushtetutës së Kosovës. Pra, çdo zhbërje e gjykatës do të nënkuptonte anulimin e këtyre ligjeve. Kjo do të nënkuptonte një kosto të madhe politike, financiare dhe juridike. Gjykata tani është në funksion të plotë. BE-ja ka shpenzuar shuma të mëdha parash, bëhet fjalë për qindra miliona euro për mirëmbajtjen e gjykatës. Pra, kanë kaluar katër vjet e gjysmë dhe zhbërja e gjykatës tani është vështirë e realizueshme. BE-ja nuk do ta toleronte një ndërhyje të tillë në drejtësi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Pineles./teve1.info/