Lajme

Fitorja historike e Kurtit: A i hapet rruga një propozimi të ri për President, përveç Vjosa Osmanit?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar numërimin e votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe gjersa numërim vazhdon një gjë nuk pritet të ndryshojë dhe ajo është fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit të saj për kryeministër Albin Kurti.

Kurti i cili aktualisht është kryeministër në detyrë, me votat e numëruara deri 98.84 për qind, është kandidati më i votuar i këtyre zgjedhjeve, duke arritur të fitojë 395,336 vota deri më tani.

Ai ka thyer kështu edhe rekordin e tij të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, ku kishte garuar në të njëjtën listë edhe me presidenten aktuale Vjosa Osmani.

Duke parë rezultatet e tanishme të një fitoreje historike të Lëvizjes Vetëvendosje, pa presidenten Vjosa Osmani, analistët politikë thonë se kjo teoritikisht dhe politikisht mund të ndikojë në propozimin e ndonjë emri tjetër për president. Por, sipas tyre, praktikisht është pak e mundshme. Ata shtojnë se Kurti nuk ka arsye bindëse që të mos propozojë Osmanin për presidente dhe se ajo është personalitet i duhur për këtë pozitë.

“Jo vetëm sukses elektoral, por mandat i drejtpërdrejtë politik dhe moral për vazhdimësi”

Analisti politik Lirim Gashi, thotë se rezultati i Kurtit nuk do e shtyn atë drejt eksperimenteve.

Sipas tij, sa i përket propozimit të Mimoza Kusari- Lilës, ajo është figurë politike me peshë, por jo aq unifikuese e vendimtare sikur e kërkon presidenca.

Image
Lirim Gashi

“Po, teorikisht dhe politikisht po mund të ndikojë rritja e votave që Albin Kurti të propozojë një emër tjetër për presidente, por praktikisht kjo është shumë pak e mundshme. 488.361 e më shumë vota, nuk janë thjesht një sukses elektoral; ato janë mandat i drejtpërdrejtë politik dhe moral për vazhdimësi, stabilitet dhe koherencë institucionale. Ky rezultat nuk e shtyn Kurtin drejt eksperimenteve, por drejt konsolidimit të boshtit institucional që tashmë funksionon. Propozimi i një emri tjetër për presidente do të kishte kuptim vetëm nëse do të ekzistonte një krizë e rëndë politike apo institucionale, ose nëse do të kërkohej një figurë kompromisi për të qetësuar një bllokadë parlamentare. Asnjëra prej këtyre rrethanave nuk ekziston aktualisht. Sa i përket Mimoza Kusari-Lilës: ajo është figurë politike me peshë, por roli i saj natyror është periferik e parlamentar dhe jo unifikues e vendimtar, siç kërkon presidenca në këtë fazë”, deklaron Gashi për “Bota sot”.

Sipas tij, LVV ka disa figura të denja institucionale, por asnjëra nuk e ka kapitalin që e ka Vjosa Osmani.

Çdo kandidat alternativ do të kërkonte negociata të rënda, do të rrezikonte bllokadë institucionale, thotë Gashi.

“Nëse flasim hipotetikisht, LVV ka disa figura të denja institucionale, por asnjëra nuk e ka kapitalin transversal që aktualisht e ka Vjosa Osmani. Problemi nuk është te kandidati, por te aritmetika politike: Opozita tradicionale nuk e voton lehtë një president të propozuar drejtpërdrejt nga Kurti, Mbështetja nga Lista Guxo është e lidhur organikisht me Vjosa Osmanin dhe jo automatikisht për çdo emër tjetër. Pra, çdo kandidat alternativ do të kërkonte negociata të rënda, do të rrezikonte bllokadë institucionale dhe do ta shndërronte një proces të sigurt në një betejë të panevojshme. Politika e mençur nuk është ajo që promovon dhe provon forcën, por ajo që e përdor forcën për stabilitet”, thekson analisti.

Nëse Vjosa Osmani nuk propozohet sërish, sipas Gashit, nuk është fundi i karrierës së saj, por pauzë strategjike ose një rikthim në një rol tjetër shtetëror e politik.

“Në politikë, fundet e vërteta nuk vijnë nga mospropozimi, por nga humbja e besimit publik dhe Vjosa Osmani nuk e ka humbur atë. Nëse ajo nuk do të propozohej sërish, ky nuk do të ishte fundi i karrierës së saj, por: ose një pauzë strategjike, ose një rikthim në një rol tjetër shtetëror e politik, ose një riartikulim i profilit të saj politik për një fazë të re. Megjithatë, realisht: Osmani është presidente konsensuale, respektivisht figurë balancuese që nuk prodhon konflikte të panevojshme. Pra ajo është një nyje e rëndësishme e balancës mes legjitimitetit popullor dhe atij ndërkombëtar. Prandaj, rifillimi i saj politik është shumë më i mundshëm se sa përfundimi, qoftë brenda presidencës, qoftë në një kapitull tjetër politik. Fitorja rekord e Albin Kurtit nuk është ftesë për ndryshime simbolike, por mandat për stabilitet institucional. Në këtë ekuacion, Vjosa Osmani mbetet zgjedhja më racionale, jo nga mungesa e alternativave, por nga teprica e arsyes politike”, përfundon Gashi.

Vjosa Osmani e cila ka shprehur gatishmërinë e saj për një mandat tjetër si presidente, sipas kushtetutës së Kosovës, duhet të zgjidhet jo më herët se 6 muaj dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Mandati i Vjosa Osmanit përfundon në prill 2026, prandaj procedura duhet të nisë brenda këtij afati. Kandidati për President, propozohet nga të paktën 30 deputetë të Kuvendit. Zgjedhja bëhet në Kuvend dhe ka deri në 3 raunde votimi: Në raundin e parë dhe të dytë, kërkohet 2/3 e votave të të gjithë deputetëve (minimumi 80 nga 120), nëse nuk arrihet kjo shumicë, kalohet në raundin tjetër. Nëse dy raundet e para dështojnë: zhvillohet raundi i tretë dhe kërkohet shumica e thjeshtë (minimumi 61 vota). Nëse Presidenti nuk zgjidhet as në raundin e tretë: Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe shpallen zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.

Faktet e fitores dhe rëndësia e rizgjedhjes së Vjosa Osmanit

Analisti Gani Qarri, rendit disa nga faktet që quan drejt fitores spektakulare të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai tregon pse erdhi deri të fitorja historike e Albin Kurtit, gjersa flet rreth punës së tij.

Image
Gani Qarri

“Treguesi impozant i fitores madhështore të LVV-së është humbja katastrofale e partive opozitare, si rezultat i hakmarrjes popullore për mbajtjen e vendit mbi 9 muaj nën bllokadë të hekurt nga opozita e inkriminuar e cila në kooketim edhe me të ashtuquajturën “listë serbe” penguan krijimin e Qeverisë dhe të institucioneve legjitime shtetërore, parti të cilat pa marrë parasysh pasojat ndaj vendit dhe rëndimit të jetesës së qytetarëve, nuk votuan buxhetin e shtetit dhe nuk miratuan as marrëveshjet ndërkombëtare, me qëllim të përkeqësimit të situatës dhe nxitjes së trazirave sociale në vend, duke rrezikuar edhe funksionalitetin e shtetit dhe humbjen e qindra miliona eurove nga ndihmat e BE-së dhe të Bankës Ndërkombëtare të ndara për qytetarët dhe Republikën e Kosovës. Këto ishin disa nga faktet që quan në fitoren spektakolare të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat nxorën Kryeministrit Albin Kurti liderin politik më të votuar ndonjëherë në Kosovë duke thyer rekord të ri në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, në të cilat mori mbi 388,361 Vota, duke u bërë kështu kandidati më i votuar, jo vetëm i këtyre zgjedhjeve, por edhe i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, kur në listë me VV-në, ishte edhe presidentja aktuale e Kosovës Dr. Vjosa Osmani”.

“Duke qenë se kryeministri Albin Kurti gjatë gjithë fazës së parë prej gati 5 vitesh si kryeministër i vendit, përveç luftimit të organizatave terroriste serbe dhe bandave kriminale të kryeterroristit Millan Radojçiq në veri, njëkohësisht u detyrua të merrej edhe me ndjekjen e kriminelëve shqipfolës në pjesët tjera të Kosovës, luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar dhe shuarjen e sistemit të fajdeve, që mjerisht ishte trashëgimi autentike e qeverisjeve të kaluara, si dhe ndjekjen e burgosjen e fajdexhinjve, të cilët përveç grabitjes së centëve të fundit të hallexhinjve të pambrojtur dhe përvetësimit me forcë të pasurive të patundshme të tyre, qonin njerëzit edhe në vetëvrasje apo edhe vdekje të para-programuara, fitorja spektakolare e Kurtit dhe LVV-së, shpreh publikisht edhe mllefin e madh të grumbulluar ndër vite tek qytetarët, ndaj partive opozitare. Fitorja madhështore e kryeministrit Kurti erdhi edhe si dëshmi se qytetarët e mbarë vendit i kanë kuptuar drejtë sukseset e Qeverisë së tij, si në shtrirjen e shtetësisë në veri, ashtu edhe në vendosjen e rendit e të ligjit në gjithë Kosovën, fitore e cila u ndihmua edhe nga udhëheqja e shkëlqyer dhe shumë e suksesshme në politikën e jashtme të Dr. Vjosa Osmanit e cila vetëm brenda këtij viti, derisa partitë opozitare argëtoheshin në kurriz të vendit dhe të qytetarëve duke bllokuar shtetin e Kosovës për më tepër se 9 muaj, presidentja i solli Kosovës edhe 4 njohje të reja”, deklaron Qarri.

Kryeministri Kurti as LVV nuk kanë asnjë arsye bindëse që në vend të Vjosa Osmanit të propozojnë një kandidat tjetër, thotë Qarri, gjersa rendit arsyet pse duhet rizgjedhur Osmani.

“Përveç sukseseve të lartcekura, Presidentja Dr, Vjosa Osmani në kontakt të afërt me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndikoi drejtpërsëdrejti në heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, andaj besojë se edhe z. Kurti nuk do të lejojë që të amortizohet një respekt kaq i madh mbarë popullor për të dy këta dhe do të vazhdojë me këtë “tandem” që ka dëshmuar shumë suksese për vendin brenda dhe jashtë shtetit. Kryeministri Kurti as LVV nuk kanë asnjë arsye bindëse që në vend të Dr. Vjosa Osmanit të propozojnë një tjetër kandidatë, të papërvojë në politikën e jashtme dhe me mungesë të njohjes elementare të faktorit vendimmarrës ndërkombëtar, të cilit ndoshta do ti duhen 2-3 vite kohë, të ambientohet me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të njoh nga afër e ta rikuperojë bashkëpunimin me faktorin e jashtëm nga e para, derisa Dr. Vjosa të gjitha këto i ka vënë në binar, më së miri dhe nga BE deri në SHBA funksionojnë gjithandej për së mbari”, shprehet analisti.

Propozimi i mundshëm i Mimoza Kusari- Lilës, sipas Qarrit, do ta denigronte tërësisht edhe jehonën e këtyre zgjedhjeve.

Sipas tij, Osmani me apo pa votën e opozitës mund të rizgjidhet edhe një mandat.

“Për aq më tepër të propozojë z. Kurti edhe ndonjë emër të tretë, si zonja Kusari, do ta denigronte tërësisht edhe jehonën e këtyre zgjedhjeve, si dhe do ta përulte rëndësinë e madhe që ka roli i presidenti/es në politikën e jashtme për Kosovën, andaj megjithëse lakohet shpesh emri i Glauk Konjufcës, që deri para kandidimit për kryeministër, besohej se do të merrte edhe mbështetjen e partive opozitare, u pa se mbështetja e opozitës ishte vetëm teori, e cila në praktikë nuk funksionoi. Kështu që duke qenë se LVV ka siguruar të paktën 57 deputet dhe gëzon mbështetjen e shumicës së subjekteve apo deputetëve minoritar jo-serb, Presidentja Dr. Vjosa Osmani, me apo pa votën e opozitës, mund të rizgjidhet edhe për një mandat, ngase në votimin e tretë, mund të zgjidhet edhe me shumicën e thjeshtë prej së paku 61 votave, ndaj duke pasur parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese gjatë aventurës me bllokadë, se deputetët janë të detyruar të qëndrojnë në sallën e Kuvendit, gjatë mbajtjes së seancave parlamentare, mjafton që ata të jenë të pranishëm në seancë dhe kjo nënkupton sigurimin e kuorumit, me ç`rast votimi do të ishte i ligjshëm dhe presidentja do të rizgjidhej, pa asnjë problem edhe për një mandat”, thekson analisti.

Ai Vjosa Osmanin e konsideron figurë brilante e personalitet të duhur, gjersa shton se opozita nuk do të ketë mundësi të krijojë tollovi, as bllokada të reja politike që do ta rrezikonin procesin e zgjedhjes së saj presidente.

“Zgjedhjet e fundit, kanë rritur shpresat se edhe çështja e kreut të shtetit do të kryhet pa i detyruar serish qytetarët e lodhur me 4 palë zgjedhje brenda një vitit, që sërish tu drejtohen kutive të votimit, ndaj pas formimit të qeverisë e institucioneve të reja shtetërore, zonja Dr. Vjosa Osmani duke qenë se ka raporte të mira si me kryeministrin e vendit, ashtu edhe me udhëheqësit më të lart të shteteve më të fuqishme evropiane, si dhe faktorët kyç ndërkombëtar, e cila ka shkëlqyer në politikën e jashtme të Kosovës, duke mbajtur kontaktet të vazhdueshme politike e diplomatike veçanërisht me SHBA-të dhe vet presidentin Trump dhe përkundër të gjitha vështirësive të brendshme në vend, ruajti në mënyrë të mrekullueshme baraspeshën politike të Kosovës në planin e jashtëm ndërkombëtar, besojë se Dr. Vjosa është figura më brilante, personaliteti i duhur dhe në kohën e mandatin e duhur për tu rizgjedhur serish presidente”.

“ Shto kësaj faktin se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, opozita nuk do të ketë mundësi të krijojë tollovi as bllokada të reja politike dhe ta rrezikojë procesin e zgjedhjes së Presidentes Dr. Vjosa Osmani, as ajo nuk ka fare nevojë të merret me punë tjetër, apo të kalojë në funksion tjetër, kur dihet mirëfilli se mandati i saj i dytë për presidente të vendit, është pothuajse plotësisht real dhe pas votimit, i mbetet vetëm ta vazhdojë kultivimin e kontakteve të shkëlqyera me udhëheqësit kryesor ndërkombëtar, që nga shefi i NATO-s, z. Mark Rute e deri te presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump dhe përfaqësoj shtetin e Kosovës mënyrën më të mirë të mundshme, me suksesin e dëshmuar në mandatin e parë, falë edhe respektit që ajo gëzon te faktori vendimmarrës ndërkombëtar, duke u nderuar dhe prit e përcjellë me shumë dashamirësi nga të gjithë, argument i fuqishëm, që rritë edhe imazhin e shtetit tonë të ri, si dhe forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, në BE, SHBA dhe kudo në botë. Në të kundërtën kandidatëve të papërvojë, cilido qoftë, do tu duhet shumë kohë, e madje nëse emërohen për herë të parë, në postin e të parit të shteti, ndoshta nuk e kanë as afinitetin, që brenda një mandati, ti arrijnë përmasat e suksesit të zonjës Dr. Vjosa Osmani, ndaj edhe për hir të njohjeve të cilat ia ka sjellë Kosovës, heqjen e masave të BE-së dhe sukseseve tjera që në 5 vite në postin e presidentes ka dëshmuar, asaj nuk guxon ti mohohet edhe një mandat, post për të cilin edhe duhet favorizuar ngase vërtetë e meriton”, përfundon Qarri.