Viti 2026 pritet të jetë vendimtar në procesin gjyqësor në Hagë të katërshes së UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Në deklarimet e fundit thuhet se kjo gjykatë nga data 9 e deri më 18 shkurt ka caktuar fjalët përfundimtare.
Gazeta ‘Bota sot’ ka kontaktuar gjykatën dhe pyetur se nëse ka ndonjë datë të caktuar se kur do të mbahet seanca përfundimtare ndaj Thaҫit dhe të tjerëve, dhe në përgjigjen e tyre thuhet nuk ka ende ende ndonjë datë përfundimtare, ndërsa pas mbylljes së ҫështjes gjyqësore, vendimi mund të merret pas 90 ditëve, ose të vazhdoj edhe 60 ditë të tjera.

Angela Griep, Gjykata Speciale
“Aktualisht, nuk është caktuar asnjë datë për shqiptimin e aktgjykimit në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Trupi Gjykues ka në dispozicion 90 ditë për marrjen e vendimit pas mbylljes së çështjes gjyqësore. Ky afat mund të zgjatet për 60 ditë në qoftë se rrethanat e çështjes kërkojnë zgjatje të mëtejshme të tij”, thotë Angela Griep, nga Gjykata Speciale.
Të pyetur nëse do të ketë një datë të përbashkët vendimi për të katër të akuzuarit, nga gjykata thonë se vendimi do të merret veqazi për secilin, ndërsa vendimi do të kumtohet në të njëjtën ditë.
“Trupi Gjykues vendos veçazi për secilin të akuzuar nëse Prokuroria mund të vërtetojë fajësinë e tyre jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe do të marrë një vendim për secilin të akuzuar veçazi. Sipas praktikës së zakonshme, Trupi Gjykues do të shqiptojë aktgjykimin për të katër të akuzuarit në të njëjtën kohë dhe vendimet do të përfshihen në një dokument”, thuhet në përgjigjen për ‘Bota sot’.
Ndryshe, Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, u arrestuan në nëntor 2020 nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (SPO) të Gjykatës Speciale në Hagë. Të gjithë u transferuan në burgun e Gjykatës Speciale në Hagë, Holandë, ku filluan procedurat e akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që pretendohet të jenë kryer gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998–1999.


