Mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji, ishte i ftuar këtë të martë në “Good Morning Albanians” për të folur rreth sëmundjes së diabetit. Dr.Gjergji sqaroi që në krye të herës se sipas të dhënave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), vitet e fundit ka një shtim të numrit të fëmijëve të prekur nga kjo patologji, e cila për fat të keq jo gjithmonë kapet në kohë.
Ai e cilësoi si një sëmundje tinëzare që jo rrallëherë identifikohet deri në 3-4 vjet pas shfaqjes së saj.
“Shenjat vijnë pak me vonesë dhe kjo është ndoshta një nga vështirësitë teknike që ne kemi, sepse diabetikët diagnostikohen pak më me vonesë, pas 3-4 vitesh që e kanë këtë sëmundje. shenjat kryesore, janë ato që në anglisht njihen si “4t”.
Këta të sëmurë kanë shumë etje, konsumojnë shumë ujë, urinojnë shpesh, nga ana tjetër normalisht dobësohen dhe kanë pafuqi. Këto janë katër shenjat kryesore të diabetikëve. Nëse një njeri del shpesh në tualet gjatë natës, mund të ketë diabet. Megjithatë ne kemi target-grupet ku e kërkojmë diabetin. Zakonisht shfaqet në mosha mbi 30-vjeç, por kohët e fundit e shikojmë shpesh edhe te fëmijët”,- tha ai.