1
Shkeljet e vazhdueshme të partisë në pushtet nuk janë më raste të izoluara, por një strategji e qëllimshme për kapjen e procesit zgjedhor.
Në kundërshtim të hapur me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme — i cili ndalon rreptësisht përdorimin e zyrave publike, fondeve dhe personelit shtetëror për mbështetje partiake — kjo qeveri po e shndërron shtetin në instrument të fushatës së vet në favor të kandidatëve të saj.
Jo vetëm që resurse të shtetit vihen në shërbim të kandidatëve të pushtetit, por ato përdoren edhe për të penguar dhe sabotuar punën e rivalëve, vetëm e vetëm që të krijohet përshtypja e rreme e “suksesit” të njëanshëm apo “dështimit” të tjetrit në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve në vendin tonë.
Prishtina, kryeqyteti i Republikës së Kosovës është rasti më tipik i veprimeve bllokuese të qeverisë qendrore përgjatë gjithë këtij viti e edhe aktualisht.
Kjo qasje e partisë-shtet është e paprecedentë në përmasat e saj.
Një pushtet që ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet në vazhdimësi, tash po synon të uzurpojë edhe zemrën e demokracisë — barazinë e garës zgjedhore duke provuar të ndikojë në përcaktimin e votuesve përmes premtimeve marramendëse e pa asnjë mbështetje.


