Bota po zien.
Retë na kanë terrësuar.
Dielli ngroh dikë.
Por kë?
Luftëra, kriza, përmbysje politike, interesa të mëdha që lëvizin kufij dhe fatet e njerëzve sikur të ishin gurë shahu.
Çdo ditë një shembull i ri se sa e paqëndrueshme është koha në të cilën jetojmë.
Ne i shohim.
Ne i përjetojmë.
Ne i komentojmë.
Por një gjë vazhdon të na mungojë:
guximi për ta kthyer shikimin nga vetja.
Sepse është më e lehtë të flasësh për botën se sa të përballesh me pasqyrën.
Në këtë kohë të turbullt disa kanë gjetur një biznes shumë të vjetër dhe shumë fitimprurës:
marrin ujin e turbullt dhe e shesin si burim.
E marrin mjegullën e kohës dhe e paketojnë si vizion.
E marrin interesin personal dhe e shesin si patriotizëm.
E marrin zbrazëtinë dhe e mbështjellin me fjalë të mëdha.
Dhe për çudi…
gjithmonë gjenden blerës.
Sepse sa herë që uji turbullohet, disa bëhen peshkatarë të mëdhenj të mjegullës.
Dhe sa më shumë mjegull, aq më shumë treg.
Ndërkohë diaspora shqiptare vazhdon të rrijë në udhëkryq.
Me energji.
Me potencial.
Me përvojë nga vendet më të zhvilluara të botës.
Por shpesh edhe me një hutim të çuditshëm.
Mes emocioneve dhe realitetit.
Mes nostalgjisë dhe zhgënjimit.
Mes dëshirës për të kontribuar dhe lodhjes nga zhgënjimet e njëjta.
Dhe kështu lind paradoksi që e shohim çdo ditë:
Ata që kanë më pak për të dhënë flasin më shumë.
Ata që kanë më shumë për të bërë heshtin më gjatë.
Ndërkohë shoqatat shtohen.
Emrat shtohen.
Fjalimet shtohen.
Por drejtimi nuk qartësohet.
Krijuam shumë shoqata dhe shumë aktivitete. Ishin të nevojshme dhe i shërbyen kohës.
Por aty mbetëm.
Nuk u institucionalizuam.
Secili në rrugën e vet.
Secili me flamurin e vet.
Secili me inatin e vet.
Dhe kur nuk na pëlqen njëra…
hapim një tjetër.
Pa strategji.
Pa koordinim.
Pa vizion.
Vetëm edhe një tavolinë.
Edhe një logo.
Edhe një fotografi.
Dhe mjegulla vazhdon.
Të gjithë lëvizim në mjegull.
Por pak kush kërkon diellin.
E vërteta është e thjeshtë dhe e hidhur.
Nuk na mungojnë shembujt.
Nuk na mungojnë përvojat.
Nuk na mungojnë paralajmërimet.
Na mungon vetëm vetëdija.
Vetëdija për të ndryshuar drejtimin.
Vetëdija për të menduar për veten.
Për brezat tanë që rriten këtu në diasporë.
Sepse një popull nuk ecën përpara duke pirë ujë të turbullt dhe duke u bindur se është burim.
Një popull ecën përpara vetëm kur ka guximin të thotë:
Ky ujë është i ndotur.
Dhe ne nuk e pimë më.
Por do të mundohemi ta filtrojmë.
7 Mars 2026, Luzern
Florim Usieni
