Lajme

Fondi Pensional: Arrihet për herë të parë vlera prej 3 miliardë eurove nën menaxhim

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka njoftuar se ka arritur për herë të parë vlerën e 3 miliardë eurove të mjeteve neto nën menaxhim.

Në njoftim thuhet, se krahasuar me fundvitin e 2023, gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, mjetet nën menaxhim janë ngritur për më shumë se 300 milionë euro.

“Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) e arriti për herë të parë vlerën e 3 miliardë eurove të mjeteve neto nën menaxhim në fundin e gushtit 2024. Gjatë periudhës janar-gusht 2024 mjetet nën menaxhim u ngritën për më shumë se €300 milionë krahasuar me fundvitin 2023. Ngritja e këtij tetëmujori erdhi nga kontributet e reja (rreth €200 milionë) dhe kthimi nga investimet (rreth €165 milionë). Por njëkohësisht rreth €60 milionë u zbritën nga fondi për pagesat mujore të pensioneve dhe shpenzimet e tjera”, theksohet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se prej fillimit të operimit të FKPK-së në vitin 2002, një-miliardëshi i parë i mjeteve neto nën menaxhim është arritur më 2014 kurse dy-miliardëshi më 2021.

Ndërsa, në tërësi, mjetet që FKPK-ja i ka aktualisht nën menaxhim përbëhen prej pagesave të kursimeve pensionale nga kontribuuesit rreth 78%, si dhe kthimi nga investimet rreth 22%.

“Prej fillimit të operimit të FKPK-së (më 2002), një-miliardëshi i parë i mjeteve neto nën menaxhim është arritur më 2014 ndërsa dy-miliardëshi më 2021. Vlerësuar në tërësi, mjetet që FKPK-ja i ka aktualisht nën menaxhim përbëhen prej pagesave të kursimeve pensionale nga kontribuuesit (rreth 78% ose €2.34 miliardë) dhe kthimi nga investimet (rreth 22% ose €660 milionë). Përveç mjeteve aktuale nën menaxhim, prej themelimit e deri më tani janë tërhequr edhe rreth €675 milionë nga përfituesit e FKPK-së (përfshirë këtu edhe rreth €200 milionë nga tërheqja e parakohshme për 10%-shin)”, thuhet në njoftim./teve1.info/