Revista prestigjioze Forbes ka bërë publike renditjen e 100 grave më të fuqishme në botë për vitin 2025, një listë që përfshin emra nga politika, ekonomia, teknologjia, kultura dhe media, gra që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimet globale.
Vendin e parë e mban Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila kryeson listën për shkak të rolit të saj vendimmarrës në një periudhë sfidash të mëdha gjeopolitike dhe ekonomike për Evropën dhe më gjerë.
Këtë vit spikat edhe përfaqësimi i Afrikës, veçanërisht i Nigerisë, me dy figura të rëndësishme: Ngozi Okonjo-Iweala, drejtoreshë e përgjithshme e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe gruaja e parë afrikane në këtë post, si dhe Mo Abudu, themeluese dhe CEO e EbonyLife Media, një nga emrat më të fuqishëm në industrinë globale të medias.
Në listë janë përfshirë gjithashtu Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Evropiane, Sanae Takaichi, kryeministrja e parë femër e Japonisë, si dhe Netubo Ndi-Ndaitwa, presidente e Namibisë.
Për herë të parë, pjesë e renditjes është edhe Kim Kardashian, bashkëthemeluese e markës Skims. Në vitin 2025, kompania e saj u vlerësua rreth 5 miliardë dollarë, ndërsa bashkëpunimi me Nike në linjën NikeSkims e konsolidoi më tej praninë e saj në tregun ndërkombëtar.
Lista përfshin edhe Taylor Swift, e cila hyri në klubin e miliarderëve në vitin 2023, duke u bërë muzikantja e parë që arriti këtë status vetëm përmes muzikës dhe turneve live.
Si u hartua renditja
Forbes sqaron se përzgjedhja është bërë mbi katër kritere kryesore: fuqia ekonomike, ndikimi publik dhe mediatik, pesha institucionale dhe shtrirja globale e ndikimit. Gratë e përfshira veprojnë në fusha si biznesi, teknologjia, financat, politika, media, kultura dhe filantropia.
Sipas revistës, 100 gratë e renditura menaxhojnë së bashku mbi 4.9 trilionë dollarë të ardhura, punësojnë më shumë se 9.3 milionë persona dhe kanë ndikim në vende që përfaqësojnë mbi gjysmën e Prodhimit të Brendshëm Bruto global.
/tiranapost