Në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, zhvilloi një takim trepalësh me homologët e tij nga Kosova dhe Kroacia, Ejup Maqedonci dhe Ivan Anušiq.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, takimi shërbeu për të vijuar dhe thelluar diskutimet mbi projektet e përbashkëta që synojnë forcimin e sigurisë kolektive dhe rritjen e ndërveprueshmërisë mes tri vendeve.
Palët diskutuan hapat e radhës në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe avancimin e industrisë së mbrojtjes, duke e cilësuar këtë koordinim si një faktor të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë në rajon.
Sipas tyre, bashkëpunimi trepalësh përbën një përpjekje të përbashkët për forcimin e partneritetit strategjik dhe rritjen e gatishmërisë në përballje me sfidat e sigurisë.
Më 18 mars 2025 Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan marrëveshje të përbashkët në aspektin e mbrojtjes.
Marrëveshja, e cila brenda saj ka dhjetëra pika që do të zbatohen në aspektin ushtarak, përfshin edhe atë të investimeve në municion e pajisje ushtarake.
