Kuriozitete

FOTO/ 300 mln euro, kaq është shitur shtëpia më e shtrenjtë në Londër

Brenda saj ka një kinema, një bar, një palestër me sauna dhe banjë turke, një pishinë nëntokësore dhe një kopsht dimëror me pemë frutore dhe bimë zbukuruese. Ka aq shumë dhoma gjumi sa mund të ishte një hotel, por është një rezidencë private, e cila tani ka vendosur rekordin për shtëpinë më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë në Londër: 275 milionë paund, që korrespondojnë me më shumë se 300 milionë euro.

Pronari që e ka shitur quhet Nick Candy: një miliarder i njohur britanik i pasurive të paluajtshme, ish-mbështetës i Partisë Konservatore, i cili së fundmi i është bashkuar Reform UK, partisë populiste të udhëhequr nga promotori i Brexit-it Nigel Farage, ku ai është bërë arkëtar, duke premtuar të gjejë donatorë të pasur për ta çuar drejt fitores në zgjedhjet e vitit 2029.

Së bashku me Farage, Candy u fotografua vitin e kaluar në Mar-a-Lago, rezidenca private e Donald Trump në Florida, gjatë një darke me presidentin amerikan dhe me Elon Musk. Blerësi nuk është identifikuar dhe mbetet për momentin anonim: mund të jetë i huaj, pasi transaksioni po menaxhohet nga Sotheby’s International Realty, krahu ndërkombëtar i pasurive të paluajtshme i shtëpisë së njohur të ankandeve londineze.

Prona nuk ishte zyrtarisht në treg, sipas Financial Times, por qarkullonin zëra për negociata private: blerësi i ishte afruar Candy-t me një ofertë mjaft tërheqëse për ta bindur të shiste. Nuk ka dyshim se zhvilluesi ka bërë një marrëveshje shumë të mirë: ai e kishte blerë së bashku me vëllanë e tij Christian në vitin 2012 për 75 milionë paund. Në pak më shumë se një dekadë, ai e ka katërfishuar pothuajse investimin.

Të Ngjashme