Franca do të nisë nga 15 qershori rimbursimin e barnave për humbje peshe si Wegovy dhe Mounjaro, duke u bërë vendi i parë në Europë që përfshin këto trajtime në skemën e sigurimeve shëndetësore.
Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, e cila deklaroi se vendimi shënon një hap të rëndësishëm në politikat shëndetësore të vendit.
“Jam mjaft krenare, sepse jemi vendi i parë në Bashkimin Europian që ofrojmë rimbursim sipas mbulimit standard, në mënyrë të përhershme”, tha ajo për mediat franceze.
Sipas vendimit, rimbursimi zyrtar do të jetë 65%, por në praktikë shumica e pacientëve pritet të përfitojnë mbulim të plotë, pasi vuajnë nga sëmundje shoqëruese si hipertensioni apo diabeti, duke e çuar mbulimin efektiv deri në 100%.
Këto barna bëjnë pjesë në një brez të ri trajtimesh të quajtura agonistë të receptorit GLP-1, të cilët ndihmojnë në uljen e peshës duke imituar hormonet që kontrollojnë oreksin.
Sipas të dhënave të publikuara, deri në fund të janarit më shumë se 70,000 pacientë në Francë po trajtoheshin me Mounjaro.
Megjithatë, çmimi mbetet një nga pengesat kryesore në aksesin e gjerë, me pacientët që aktualisht paguajnë rreth 300 euro në muaj për trajtim.
Terapitë janë të disponueshme me recetë në Francë që nga viti 2024, por nuk ishin përfshirë deri tani në skemën e rimbursimit të sigurimeve shëndetësore. Në qershor 2025, Franca lejoi gjithashtu që këto barna të përshkruhen nga të gjithë mjekët, jo vetëm nga specialistët.
Ndërkohë, sipas Anketës Kombëtare Epidemiologjike 2024, rreth 18% e popullsisë franceze — afërsisht 10 milionë njerëz — janë obezë. Në nivel të Bashkimit Europian, vlerësohet se 51% e popullsisë mbi 16 vjeç është mbipeshë dhe 17% është obeze.
Vendimi i Francës pritet të ndikojë edhe në debatet e tjera evropiane mbi aksesin dhe financimin e trajtimeve moderne për obezitetin.
