Të kapur nga paniku i përhapjes së fruthit, prindërit kanë nxituar drejt qendrave shëndetësore për të vaksinuar fëmijët me MMR, vaksinë kundër fruthit dhe rubeolës. Doza e parë bëhet 1 vjeç dhe e dyta në 5 vjeç.
Sipas mjekëve numri i të vegjëlve që vaksinohen kundër fruthit dhe rubeolës është shtuar me 50% dhe konsultoret po përballen me fluks.
“Pas shfaqjes së fruthit ne kemi një fluks shumë të madh prindërish që janë të paraqitur pranë QSH. Ne po flasim për qendrën tonë (QSH NR.2), por mesa kemi biseduar edhe me kolegët e tjerë është e njëjta situatë. Interesi është shumë i shtuar se fruthi është një patologji tepër serioze, dhe duhet të merret tepër seriozisht. Si rritje fluksi patjetër që mund të them, që është një rritje me mbi 50 për qind.” thotë Valbona Shahini, Pediatre.
Por ka të tjerë thonë se vaksinojnë fëmijët pas detyrimit nga institucionet arsimore duke shfaqur skepticizëm për vaksinën MMR. Ky fakt për mjekët mbetet shqetësues
“Shpesh herë prindërit janë skeptikë, akuzohet kjo vaksinë po e them në thonjëza për shfaqje të autizmit. Por është e njëjta vaksinë që bëhet për 5 vjeç, dhe pjesa që ne si mjek i’u referojmë shpesh është që ti si prindë kur ja bënë fëmijës në kohën kur është 5 vjeç, atëherë pse duhet t’ja shtyjnë kur është një vjeç. Sepse ndodh shpesh që janë prindër për herë të dytë, për herë të tretë që e shtyjnë, atëherë këtë gjë ne ua themi gjithmonë që këtij fëmijës parë ia ke bërë në 5 vjeç. Është e njëjta vaksinë, është i njëjti rivaksinim, shpjegon mjekja pediatre Valbona Shahini
Në vendin tonë deri më tani konfirmohen 17 raste me fruth kryesisht pacientë të pa vaksinuar. Autoritetet bëjnë thirrje për vaksinim të fëmijëve 1 vjeç me dozën e parë, 5 vjeç me dozën e dytë kundër fruthi, dhe të pa vaksinuarit mbi 7 vjeç marrin vetëm një dozë MMR./Shqiptarja.com