Temperaturat e larta të verës e bëjnë hidratimin e trupit një domosdoshmëri, ndërsa përveç ujit, një rol të rëndësishëm luajnë edhe ushqimet e pasura me lëngje dhe vlera ushqyese.
Ekspertët këshillojnë konsumimin e frutave dhe perimeve që përmbajnë sasi të mëdha uji, pasi ato ndihmojnë në rikthimin e lëngjeve të humbura, furnizojnë organizmin me vitamina dhe minerale, si dhe ndihmojnë në ruajtjen e energjisë gjatë ditës.
Ndër ushqimet më të rekomanduara gjatë vapës janë kastravecat dhe domatet, të cilat kanë një përmbajtje shumë të lartë uji. Po ashtu, shalqiri, pjepri, luleshtrydhet, pjeshkët, grejpfruti, boronicat, ananasi dhe mjedrat konsiderohen zgjedhje ideale për ditët e nxehta.
Shalqiri mbetet një nga frutat simbol të verës për shkak të përqindjes së lartë të ujit dhe efektit freskues, ndërsa frutat e tjera sjellin edhe përfitime shtesë falë vitaminave dhe antioksidantëve që përmbajnë.
Sipas specialistëve, konsumimi i rregullt i këtyre ushqimeve mund ta ndihmojë trupin të përballojë më lehtë temperaturat e larta dhe të ulë rrezikun e lodhjes apo dehidratimit.
Megjithatë, frutat dhe perimet nuk e zëvendësojnë ujin, por shërbejnë si një mbështetje e shëndetshme për hidratimin dhe mirëfunksionimin e organizmit gjatë sezonit të verës.
