Lajme

FSK realizon kursin për Rreshtermajor

Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes është mbajtur ceremonia e përfundimit të Kursit për Rreshtermajor “Gjenerata 03-2026”. Ky kurs, sipas FSK-së përfaqëson një nivel të avancuar të zhvillimit profesional për nënoficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe synon përgatitjen e tyre për marrjen e përgjegjësive më të larta brenda strukturës së lidershipit të trupës së nënoficerëve.

“Kursantët kanë kaluar nëpër një program të strukturuar arsimor dhe profesional, i cili është realizuar përmes Modulit të Studimeve Profesionale, Modulit të Udhëheqjes, Modulit të Menaxhimit të Forcës, si dhe Modulit të Operacioneve Ushtarake dhe Operacioneve të Përbashkëta Ndërinstitucionale”, thotë Forca e Sigurisë.

FSK-ja ka bërë të ditur se përmes këtij programi, kursantët kanë thelluar njohuritë e tyre profesionale, kanë zhvilluar më tej aftësitë e lidershipit dhe kanë avancuar kapacitetet e tyre për të përkrahur komandantët e tyre në proceset e planifikimit, menaxhimit dhe realizimit të detyrave brenda strukturës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas Forcës, përfundimi me sukses i këtij kursi shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin profesional të pjesëtarëve të Gjeneratës 03-2026, të cilët nga sot pritet të kontribuojnë edhe më shumë në forcimin e trupës së nënoficerëve, në rritjen e standardeve profesionale dhe në avancimin e kapaciteteve institucionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Të Ngjashme