Lajme

FSPTSPK kërkon pagën e 13-të edhe për sektorin privat

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK) i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që në skemën e pagës së 13-të të përfshihen edhe të punësuarit në sektorin privat.

Kjo kërkesë vjen një ditë pasi Qeveria mori vendim për ndarjen e pagës së 13-të për të punësuarit në sektorin publik.

Përmes një njoftimi, FSPTSPK ka kërkuar nga Qeveria që të gjejë formën dhe modalitetet e nevojshme për t’ua mundësuar edhe punëtorëve të sektorit privat këtë përfitim.

“Në të kundërtën, ne, si Federatë Sindikale, do të përdorim të gjithë mekanizmat sindikalë që na garantohen me ligj, në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të të punësuarve në sektorin privat. Punëtorët e këtij sektori nuk mund të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe të mbeten vazhdimisht jashtë përfitimeve që financohen edhe nga kontributi i tyre”, thuhet në njoftim, transmeton “Bota sot”.

Federata ka theksuar se sektori privat përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit dhe kontribuon ndjeshëm në mbushjen e buxhetit të shtetit përmes taksave dhe tatimeve.

“Qeverisë dëshirojmë t’ia bëjmë të qartë se është pikërisht sektori privat ai i cili, me punën e tij, por edhe përmes taksave dhe tatimeve që paguan, kontribuon në rritjen e buxhetit. Me këto të hyra buxhetore, Qeveria financon pagën e 13-të për të punësuarit në sektorin publik, ndërsa punëtorët e sektorit privat, të cilët kontribuojnë në mbushjen e arkës së shtetit, mbeten jashtë këtij përfitimi”, thuhet më tej në reagim.

FSPTSPK ka kërkuar që Qeveria ta trajtojë këtë çështje me urgjencë dhe të mundësojë përfshirjen e të punësuarve në sektorin privat në pagën e 13-të.

Të Ngjashme