Lajme

Fundosja e monedhës europiane nuk ndalet: Euro thyen për herë të parë edhe pragun e 92 lekëve

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun ka zbritur sot për herë të parë poshtë kufirit të 92 lekëve, duke prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 91.94 lekë.

Leku po vazhdon një cikël afatgjatë rënës, që gjatë vitit 2026 është shpejtuar më shumë.

Që prej fillimit të vitit kalendarik, Euro është zhvlerësuar me 5%, ndërsa me bazë vjetore rënia e monedhës europiane ka arritur në 5.3%.

Ekspertët e tregut valutor shprehen se sezoni i zgjatur veror ka shtuar më shumë ofertën qysh më parë të bollshme të Euros në tregun valutor, ndërkohë që kërkesa për monedhën europiane ngelet e vakët. Zhvlerësimi i Euros po bën që ajo të zëvendësohet pjesërisht në disa prej transaksioneve të brendshme ekonomike, duke përfshirë edhe shtijës e pasurive të paluajtshme.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të Bilancit të Pagesave për këtë vit, faktor që mund të shpjegojë më së shumti zhvlerësimin e mëtejshëm të Euros.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin 2026, deficiti i llogarisë korrente pësoi rënie, me një vlerë totale prej 361 milionë eurosh ose 40.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti i llogarisë korrente për 6-mujorin ka shënuar njëkohësisht nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Ulja e deficitit ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga remitancat.

Bilanci në tregtinë e shërbimeve ishte pozitiv në vlerën e afërsisht 1.79 miliardë eurove, në rritje me 12.9% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Më shumë se gjysma e kontributit në sektorin shërbimeve erdhi nga turizmi, që në 6-mujorin e parë të vitit i solli ekonomisë të ardhura neto në vlerën e 957 milionë eurove, në rritje me 20% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, një efekt shtesë duket të ketë dhënë edhe rritja e fortë e investimeve të huaja direkte. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e dytë 2025 vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 741 milionë euro, në rritje me 86% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo rritje u ndikua ndjeshëm nga flukse të lidhura me një projekt të rëndësishëm zhvillimi në sektorin e pasurive të paluajtshme. Banka Qendrore me shumë të ngjarë i referohet projektit të investimit në zonën e Zvërnecit.

Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ajo që po vërehet gjithnjë e më shumë në periudhën pas pandemisë është përqendrimi në rritje i investimeve të huaja direkte në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Këto fluske valutore po sjellin një zhvlerësim me ritme të përshpejtuar të Euros ndaj Lekut./Monitor

Të Ngjashme