Lajme

Fuoristrada e Beqaj u zbulua edhe nga mediat, Rrugorja e gjobiti kur shkoi para SPAK

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe një ndër zyrtarët më të lartë të mazhorancës socialiste, Ilir Beqaj është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme edhe për një tjetër akuzë, veç asaj për koncesionin e sterilizimit.

Sipas SPAK, gjatë kohës që drejtonte Agjencinë e Fondeve njohur si SASPAC, ka pastruar para përmes faturave fiktive që ka prerë me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tij në këtë Agjenci, apo dhe në biznese private që veprojnë në Shqipëri.

Newsbomb.al ka siguruar një pjesë nga dosja e Prokurorisë së Posaçme, ku mësohet se edhe automjeti që Ilir Beqaj përdor, një “Volkswagen Touareg”, me dokumente është në pronësi të ortakut të tij Ermal Kurtulaj por që pronësia e vërtetë është e ish-ministrit.

Automjeti, thotë SPAK, rezulton të jetë blerë në datë 06.09.2019 dhe shtetasi Ilir Beqaj në atë kohë ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Fuoristrada ka pasur targa AA868YP dhe në vitin 2022 ato janë ndryshuar. Me këtë mjet Ilir Beqaj, sipas vëzhgimeve të prokurorisë, ka lëvizur brenda dhe jashtë vendit.

Drejtues i mjetit gjatë gjithë kohës ka qenë shtetasi Arben Dani, i cili njihet si shoferi i ish-ministrit Ilir Beqaj, edhe për episode të tjera që kanë dalë në media përgjatë viteve.

Pjese nga hetimet e SPAK per Ilir Beqaj
Pjese nga hetimet e SPAK per Ilir Beqaj

Dyshimet e Prokurorisë së Posaçme janë vërtetuar edhe nga lajmet që kanë transmetuar mediat online gjatë ditëve të Dhjetorit 2023, një ndër to dhe newsbomb.al, kur Ilir Beqaj paraqitej në SPAK për të dëshmuar për akuzën e parë, koncesionin e sterilizimit.

Nga këqyrja në sistemin E-Gjoba është provuar se mjeti “Vokswagen Touareg” ka marrë muajt e fundit tre gjoba dhe i pranishëm ka qenë shoferi Arben Dani.

“Gjoba e fundit më datë 12.12.2023 rezulton e vënë në momentin kur mjetin e ka pasur në përdorim Ilir Beqaj, parakuar para SPAk (sipas këqyrjes nga interneti, mediat)”, thuhet ndër rreshta në hetimet e Prokurorisë së Posaçme.

Newsbomb.al risjell më poshtë fotografinë e mjetit të Ilir Beqaj teksa është gjobitur nga Policia Rrugore e Tiranës sepse ishte parkuar mbi trotuarin përpara SPAK, dhe artikullin e publikuar po më datë 12 Dhjetor 2023, të cilit i referohen dhe hetuesit në dosjen në ngarkim të ish-ministrit.

Momenti kur Policia Rrugore e Tiranes gjobit mjetin e Ilir Beqaj, para SPAK - 12.12.2023
Momenti kur Policia Rrugore e Tiranes gjobit mjetin e Ilir Beqaj, para SPAK – 12.12.2023

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo