Lajme

Fushatë e parakohshme apo shenjë paniku? Analisti zbërthen prapaskenat: Ja çfarë fshihet pas daljes së Osmanit në terren

Vizitat e fundit të Presidentes Vjosa Osmani nëpër komunat e Kosovës dhe takimet e drejtpërdrejta me qytetarë kanë ngjallur diskutime në opinionin publik për qëllimin e tyre real.

Në një kohë kur ende nuk ka qartësi nëse vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, këto lëvizje po interpretohen nga disa si një sinjal i hershëm i pozicionimit elektoral. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një strategji të mirëfilltë fushate apo për një përpjekje për të rritur praninë institucionale dhe komunikimin me qytetarët.

Duke pasur parasysh se gjatë mandatit të saj nuk kanë qenë të shpeshta vizitat e tilla në terren, lind pyetja: çfarë synon realisht Osmani me këtë intensifikim të aktiviteteve?

E në lidhje me këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Fillimisht, ai përmendi mos rikandidimin e Osmanit si presidente nga LVV, ku më pas ndodhën përplasjet e saj me Kurtin.

Image
Gani Qarri.

Në këtë pikë, Qarri kritikoi ashpër presidenten, duke vlerësuar se inati i saj kaloi përmasat normale dhe se veproi me tendencë kur shpalli dekretin për shpërbërjen të Kuvendit.

“Duke qenë se kryeministri Kurti nuk e ka propozuar Vjosa Osmanin për postin e presidentes edhe për një mandat, vendimi i tij, ka çuar në përplasje të ashpra ndërmjet kabinetit të tij dhe të Vjosa Osmani, madje inati i Vjosa Osmanit kaloi të gjitha përmasat e normales, duke shpallur me të zbardhur mëngjesi, shpërbërjen e Kuvendit dhe tentuar vetëm pas tre-katër muajsh ta qoj vendin, përsëri, në zgjedhje të reja parlamentare, gjë që në gjithë historinë e pasluftës në Kosovë, nuk dihet të ketë ndodhur edhe njëherë tjetër.

Me këtë akt të paprecedent kundërkushtetues, Vjosa Osmani detyroi edhe Gjykatën Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme dhe ndalimin e ndërmarrjes së çfarëdo veprimi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i formuar pas gjithë atyre ngërçeve e bllokadave të njohura, gati një vjeçare politike, akt me të cilin zonja Osmani nga një emër i preferuar, prej shumicës dërmuese të shqiptarëve, me vendimin e saj të pamatur e tërësisht inatqor, brenda disa minutash u kthye në një emër gati padomethënie dhe aq kundërthënës, sa që edhe mbështetësit më të flakët, tani të mbajnë qëndrim të hapur, kundër kandidaturës së zonjës Osmani për vazhdimin apo rizgjedhjen për presidente të vendit edhe për një mandat”.

Në këtë rast, analisti potencoi se shkaku i “dekretit famoz” të Osmanit, vendi është në bllokadë, ku njëkohësisht atë e cilësoi edhe si kundërkushtetues.

“Fakti se dekreti i saj i paprecedent, madje nga disa i përshkruar edhe si inekzistent, i panjohur në këtë formë, në krejt historinë e pasluftës për shpërndarjen me kaq shpejtësi marramendëse të Kuvendit të formuar vetëm pak kohë më parë të Kosovës, të sapo dalë nga legjislatura e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, pas gjithë atyre peripecive të kaluara, ka detyruar kryeministrin që në emër të Qeverisë, edhe ajo, pothuajse e sapo formuar, ta konsiderojë dekretin e saj, -antikushtetues dhe ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese të dalë me një vendim sqarues nëse do ti lejohet Kuvendit vijimi i mandatit aktual apo vendi do të detyrohet të shkojë serish në zgjedhje të reja, shkaku i dekretit famoz të zonjës Osmani”.

Më tej, ai konsideroi se pas gjithë këtyre zhvillimeve dhe duke parë se nuk ka rrugë tjetër për t’u bërë presidente, Osmani ka filluar me fushata elektorale, të cilat sipas tij, janë dëshpëruese.

Sipas tij, ajo nga afër po e sheh zhgënjimin që ia ka shkaktuar qyetarëve me dekretin dhe vendimet e saj.

Në kohën kur afati për vendimin e kushtetueses lidhur me sqarimin e Dekretit “presidencial”, përfundon me datën 31 mars dhe Gjykata Kushtetuese pritet të dalë me vendim për vazhdimin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës të paktën edhe për një afat 60 ditësh-(dymujor), në dijeni të faktit  se kandidatura e saj, tanimë është përjashtuar nga të gjitha kalkulimet matematikore të partive aktuale politike për të qenë presidente, Vjosa Osmanit nuk i ka ngelur rrugë tjetër, përveçse të nisë me nguti e parakohshëm, fushatën dëshpëruese me vizita nëpër komuna dhe në takimet të drejtpërdrejta, ta shoh nga afër në sytë e tyre, zhgënjimin e thellë që u ka shkaktuar qytetarëve, me dekretin e vet të pashembullt egoist dhe tërësisht tekanjoz, në kurriz të popullit dhe shtetit të Kosovës”.

Ndër të tjera, analisti u shpreh i befasuar me faktin se ende pa u konfirmuar nëse Kosova do shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, Osmani ka filluar me fushatën e saj.

Megjithatë, ai deklaroi se, në rast se kemi sërish zgjedhje do ishte një goditje e rëndë për shtetin dhe se fati i Osmanit do ishte vetëm dështimi.  

“Kështu që, megjithëse ende nuk dihet saktësisht se a do të shkoj sërish Kosova në zgjedhje te reja, për habi Vjosa Osmani, kësaj radhe, ka filluar shumë para kohe, fushatën e saj elektorale, e cila duket që e ka kuptuar shumë mirë, se nëse vërtetë shkaku i dekretit të saj, vendi detyrohet, që vetëm pas 3-4 muajsh të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, sërish të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, është treguesi më i qartë se ajo ka vrarë me dorën e vet, mundësinë reale për të marr edhe një mandat, si presidente e vendit, prandaj pa parti, pa mbështetje politike dhe pa simpatinë e qytetarëve, çka do që të bëjë, e çfarëdo që të ndërmarrë dhe ngado që niset e kudo që provon të depërtoj, vetëm nëse i bashkohet Vlora Hysenit të cilën e pat shkarkuar vet bashkë me Albin Kurtin dhe futet edhe kjo në shërbim të “inteligjencës shqiptare” të Edvin Kristaq Ramës dhe jo vetëm.., përndryshe fati i Vjosa Osmanit në Kosovë, është i vulosur, do të jetë një dhe i vetëm, e ai është DËSHTIMI”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Të Ngjashme