Nesër nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Subjektet politike do të hyjnë në garë elektorale me tubime, takime me qytetarë dhe prezantimin e programeve të tyre, duke kërkuar mbështetjen e votuesve deri në ditën e votimit.
Autoritetet zgjedhore kanë bërë thirrje për një fushatë të qetë dhe të ndershme, ndërsa qytetarët pritet të njihen më nga afër me ofertat politike që do të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm institucional të vendit.
Gurakuç Kuçi nga Instituti Octopus, vlerëson se Serbia ka nisur hapur një fushatë të drejtpërdrejtë ndikimi në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë.
Sipas tij, kjo fushatë u artikulua publikisht nga Millosh Vuçeviq, i cili e paraqiti Listën Serbe si përfaqësuesen e vetme legjitime të serbëve dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë të votojnë për të.
Kuçi thekson se bëhet fjalë për një operacion hibrid politik, të centralizuar dhe disiplinues, që synon të eliminojë alternativat e tjera politike serbe dhe të kufizojë hapësirën demokratike, duke e shndërruar votën në akt presioni politik dhe mjet për ruajtjen e ndikimit të Beogradit në Kosovë.
“Serbia publikisht ka nisur publikisht një fushatë të drejtpërdrejtë ndikimi në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë. Ky operacion hibrid politik i centralizuar u artikulua në publik nga Millosh Vuçeviq, kryetar i SNS-së dhe këshilltar i Presidentit të Serbisë për çështjet rajonale, i cili e pozicionoi Listën Serbe si përfaqësuesen e vetme legjitime të serbëve në Kosovë dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë të votojnë.
Në thelb, kjo është një fushatë disiplinuese dhe centralizuese që synon të eliminojë çdo alternativë tjetër politike serbe dhe ta bëjë të pavlefshme cdo hapësirë demokratike.
Vuçeviq e kornizon votën si akt ekzistencial, duke nënkuptuar se mosmbështetja e Listës Serbe përbën tradhti ndaj kombit serb. Ai flet qartazi si drejtues fushate nga Beogradi për një proces zgjedhor që zhvillohet në Kosovë, pa asnjë përpjekje për ta maskuar këtë rol.
Kjo konfirmon se prioriteti i Serbisë nuk është mbrojtja e interesave reale të serbëve në Kosovë, por ruajtja e ndikimit politik përmes monopolizimit të përfaqësimit dhe instrumentalizimit të komunitetit serb.
Në terma profesionalë, kjo përbën një operacion hibrid të ndikimit politik, tipik për qasje autoritare që përdorin zgjedhjet si mjet kontrolli dhe presioni gjeopolitik“, thotë ai.


