LifeStyle

Gabimet që mund të jesh duke bërë çdo ditë me kujdesin e lëkurës

Thuajse të gjithë kemi një rutinë për kujdesin ndaj lëkurës, sado e thjeshtë apo e vështirë të jetë. Një studim ku janë marrë në pyetje gra dhe vajza, ka zbuluar gabimet më të shpeshta që bëhen me kujdesin ndaj lëkurës.

77% e tyre përdorin më shumë produkte sesa duhet në rutinë;

1 në 5 të intervistuara, pranoi se nuk e heq grimin para se të flejë;

37% e tyre pranojnë se përdorin produkte që u kanë skaduar vetëm për hir të sasisë;

E së fundmi, shumë prej pjesëmarrësve në studim pranojnë se janë konfuzë për radhën e përdorimit të secilit produkt.

Çfarë duhet të kesh parasysh?

Hidratimi është shumë i rëndësishëm, por mos e tepro. Ekspertja e kujdesit ndaj lëkurës, Nicola Moulton, shpjegon se shumë besojnë te potenciali që ka sasia e madhe e produktit të aplikuar. Por nuk është ashtu. Nëse aplikon shumë produkt, përveçse po e shpërdoron, rrezikon të irritosh lëkurën.

Sipas saj, mbrojtja ndaj diellit vazhdon të nënvlerësohet. “Nuk duhet përdorur kurrë një krem i vjetër që e ke harruar aty. Formula e tij dëmtohet me kalimin e kohës”, shpjegon Moulton.

Kujdes me bashkimin e produkteve në rutinë. Një pjesë e tyre mund të bëhen shkaktarë për probleme, pasi ingredientët janë shumë të fortë.