Lajme

Gacaferi ‘shpërthen’ ndaj Abdixhikut: Nuk ka më autoritet në LDK

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, gjatë një takimi të zhvilluar të hënën.

Pavarësisht diskutimeve mes dy palëve, nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete që do të siguronte konsensus për kreun e ri të shtetit dhe zgjidhjen e ngërçit institucional.

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është ofruar një paketë bashkëqeverisëse për LDK-në, e cila përfshinte poste të rëndësishme në ekzekutiv.

“Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me LVV-në dhe partnerët tjerë ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendëskryeministër i imi të bëhet Abdixhiku dhe të fillojmë një kapitull të ri”, ka deklaruar Kurti.

Megjithatë, pas këtyre zhvillimeve, edhe Partia Demokratike e Kosovës është tërhequr nga përpjekjet për të ndërmjetësuar zgjidhjen e ngërçit politik. PDK ka theksuar se nuk është vlerësuar konstruktiviteti i saj dhe ka konsideruar të përmbyllur kontributin në procesin për zgjedhjen e presidentit.

Situata mbetet e paqartë, ndërsa zgjidhja e çështjes së presidentit duket ende larg konsensusit politik.

Anëtari i “Guxo”, Luan Gacaferi, ka bërë deklarata të forta ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se ai “nuk ka më autoritet në parti”.

Sipas tij, çdo marrëveshje e mundshme politike e Abdixhikut do të dështonte në Kuvend, pasi, siç thotë ai, një grup deputetësh nuk do ta mbështesnin, me qëllim që ta çojnë partinë drejt zgjedhjeve dhe një rezultati të dobët.

Gacaferi gjithashtu pretendon se brenda LDK-së ekziston një përplasje mes “gardës së vjetër” dhe udhëheqjes aktuale, duke sugjeruar se kjo situatë mund të çojë në ndryshime të mëdha në krye të partisë pas zgjedhjeve të ardhshme.

“E vërteta është se Abdixhiku nuk ka më autoritet në partinë e vet dhe çfardo marrëveshje të pranonte, bile edhe sikur Kurti tja ofronte postin e presidentit e kot do ishte, sepse 4 deputet sigurt qe nuk do e votonin në parlament asnjë marrëveshje të Abdixhikut, vetëm e vetëm qe ta dërgojnë Abdixhikun në zgjedhje, duke e ditur që do merr një rezultat katastrofal e kështu ta hjekin qafe nga karriga e kryetarit të LDK’së!

Abdixhikut nuk do i bëjë punë asnjë “Vjosë” sepse këta 4 deputetë (e që në realitet janë minimalisht 6 deputetë) do e sabotojnë nga brenda siç e sabotuan edhe më 28 dhjetor, vetëm që LDK të dalë me rezultat të keq, për ta hequr qafe dhe sigurt që nëse nuk mundën tani ta heqin, do ta heqin pas zgjedhjeve të radhës që po duken të pashmangshme!

Garda e vjetër me Lutën, Avdullahin, Hykmetën, Veliun, Zemajn dhe me Isën pas perdeve, do ia dalin të heqin qafe edhe Lumirin po edhe Vjosën nëse kjo e fundit i bashkohet Lumirit!”, deklaron ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme