4
Instituti GAP ka publikuar një analizë të shkurtër me titull “Kush ndikohet nga rritja e pagës minimale në vitin 2026?”, e cila trajton ndikimin ekonomik të vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen graduale të pagës minimale gjatë vitit 2026.
Sipas analizës, rritja e pagës minimale në dy faza gjatë vitit 2026 do t’u shkaktojë bizneseve një kosto shtesë prej mbi 85 milionë eurosh, që përfaqëson rreth 2 për qind të faturës totale të pagave në ekonomi. Nga kjo masë pritet të përfitojnë drejtpërdrejt më shumë se 130 mijë punëtorë me orar të plotë, apo rreth 36 për qind e të gjithë të punësuarve me orar të plotë në Kosovë. Përveç tyre, të ndikuar nga kjo rritje do të jenë edhe punëtorët me orar të pjesshëm.
Analiza vëren se sektorët që do të ndjejnë më së shumti ndikimin e rritjes së pagës minimale janë industria e ushqimit dhe pijeve, tregtia me pakicë dhe sektorë të tjerë ku përqendrimi i punëtorëve me paga të ulëta është më i lartë.
Sa i përket profilit të përfituesve, GAP thekson se mosha mesatare e punëtorëve që përfitojnë nga rritja e pagës minimale është 37 vjeç, çka tregon se përfituesit kryesorë janë punëtorët e moshës së mesme, të cilët, pavarësisht përvojës në tregun e punës, vazhdojnë të paguhen me pagë minimale. Nga aspekti gjinor, burrat përbëjnë shumicën e përfituesve, me 59 për qind në fazën e parë dhe 56 për qind në fazën e dytë të rritjes, ndërsa gratë përfaqësojnë përkatësisht 41 dhe 44 për qind të përfituesve.
Në aspektin e ndikimit në punësim, analiza ekonometrike e Institutit GAP nuk gjen evidencë të fortë statistikore për një ndikim të ndjeshëm negativ të rritjes së pagës minimale. Megjithatë, në përputhje me gjetjet e literaturës ndërkombëtare, theksohet se ekzistojnë rreziqe potenciale për të rinjtë dhe punëtorët me më pak shkathtësi, pasi rritja e pagës minimale mund të rrisë barrierat për hyrje në tregun e punës për këto kategori.
Në përfundim, Instituti GAP rekomandon që vendimet për rritjen e mëtejshme të pagës minimale të shoqërohen me analiza më të thelluara të ndikimit ekonomik, të bazuara në anketa të përditësuara në nivel individual. Këto analiza do të mundësonin vlerësim më të saktë të efektit në punësim, ndryshimeve në cilësinë e kushteve të punës, rritjes së mundshme të kontratave me orar të pjesshëm, si dhe ndikimit më të saktë të rritjes së pagës minimale në çmime. Po ashtu, GAP rekomandon zhvillimin e konsultimeve të gjera me palët e interesit, veçanërisht me bizneset në sektorët që punësojnë numrin më të madh të punëtorëve me pagë minimale. /Zëri
