Lajme

Gara “e ashpër” për zgjedhjet e 7 qershorit, analisti paralajmëron ashpërsim, flet edhe për ‘vija të kuqe’

Të premten, Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka marrë vendim për certifikimin e Listës Votuese për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

Sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,092,174 votues.

Kjo listë përmban 15,884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

“Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 132,212 votues, prej të cilëve, 100,970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27,724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike”, thuhet nga KQZ.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, është: 22,685 votues, prej të cilëve, 16,934 votues konsiderohen të rinj që, pas zgjedhjeve për Kuvend (28.12.2025), kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor.

Prej tyre 8,752 (51.68 %) janë meshkuj, ndërsa 8,182 (48.31 %) janë femra, dhe 5,751 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.

Gjersa, lista tashmë u certifikuar, të dielën pritet edhe zyrtarisht të fillojë fushata e cila do të zgjasë 10 ditë e 7 orë.

Në anën tjetër, para fushata ka filluar tash e sa ditë, ku kandidatët për kryeministër e kandidatja për presidente kanë lëshuar akuza, përplasje e veprime të ndryshme t’u afruar me qytetarin apo për ta bindur për votë.

Analisti Zejnullah Jakupi, thotë se fushata për 7 qershor mund të jetë ndër më të ashprat në vitet e fundit, por jo domosdoshmërisht.

Ai përmend disa arsye pse pritet që retorika të ashpërsohet edhe më tej.

“Po, vërehet qartë një rritje e tensionit dhe polarizimit në diskursin politik në Kosovë, dhe kjo nuk lidhet vetëm me retorikën e zakonshme zgjedhore. Gjuha përjashtuese, etiketimet personale, akuzat pa standard të qartë faktesh dhe përdorimi i emocioneve kolektive po marrin më shumë hapësirë sesa debati mbi programet konkrete. Kjo krijon përshtypjen se fushata për 7 qershor mund të jetë ndër më të ashprat në vitet e fundit — jo domosdoshmërisht për shkak të ideologjive të kundërta, por për shkak të mënyrës se si po zhvillohet komunikimi politik. Ka disa arsye pse pritet që retorika të ashpërsohet edhe më tej: fragmentimi i skenës politike dhe gara shumë e ngushtë për votë; ndikimi i rrjeteve sociale, ku shpërblehet mesazhi emocional dhe konfliktual; mungesa e besimit publik ndaj institucioneve; logjika moderne e fushatave, ku mobilizimi i bazës shihet më efektiv sesa bindja e votuesit neutral”, pohon Jakupi.

Image
Analisti Zejnullah Jakupi

Sipas Jakupit, ekzistojnë disa vija të kuqe që nuk duhet të kalohen në asnjë demokraci funksionale.

“ Në këtë klimë, partitë shpesh e shohin më të leverdishme të prodhojnë “armik politik” sesa të shpjegojnë politika publike komplekse. Megjithatë, ekzistojnë disa vija të kuqe që nuk duhet të kalohen në asnjë demokraci funksionale: normalizimi i dhunës fizike apo kërcënimeve; dehumanizimi i kundërshtarëve politikë; përdorimi i gjuhës që nxit urrejtje sociale, etnike apo gjinore; shpërndarja e vetëdijshme e dezinformatave; sulmet ndaj familjarëve ose jetës private pa interes publik; delegjitimimi i procesit zgjedhor pa prova”, thekson analisti.

Në fund, Jakupi thotë se një klimë e tillë e bën më të vështirë bashkëpunimin institucional pas zgjedhjeve.

“Kur këto kufij thyhen, dëmi nuk mbetet vetëm te fushata — dëmtohet besimi i qytetarëve te vetë demokracia. Po ashtu, duket se ka një zhvendosje reale nga programet drejt emocioneve dhe personalizimit të garës. Në vend të debateve mbi: ekonominë, energjinë, arsimin, shëndetësinë, integrimet euro-atlantike, fokusi shpesh kalon te: “kush është tradhtar”, „kush është i korruptuar”, „kush e urren shtetin”, ose te narrativa të tipit “ne kundër atyre”. Kjo është pjesë e një trendi më të gjerë rajonal dhe global, ku politika po bëhet më shumë identitare dhe emocionale sesa programore. Paradoksi është se fushatat shumë agresive mund të mobilizojnë militantët, por njëkohësisht të largojnë votuesit e pavendosur dhe të rrisin lodhjen qytetare ndaj politikës. Në plan afatgjatë, një klimë e tillë e bën më të vështirë bashkëpunimin institucional pas zgjedhjeve — sidomos në një sistem politik ku kompromisi mbetet i domosdoshëm”, përfundon Jakupi.

Të Ngjashme