Lajme

​Gashi: Gjykata Themelore po zvarrit shpalljen e aktgjykimit ndaj Gjokoviq

I mbijetuari dhe dëshmitari Halit Gashi, pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për rihapjen e procesit të rigjykimit në rastin e të akuzuarit për krime lufte Milorad Gjokoviq, ka dyshime në fjalën përfundimtare të mbrojtësit të të pandehurit.

Sipas Gashit, gjykata po zvarrit shpalljen e aktgjykimit për një dëshmitare e cila, sipas tij, ka qenë e saktë dhe okulare në vrasjen dhe masakrën e familjes Krasniqi.

Gashi: Gjykata edhe sot e kësaj dite e prolongon

“1489 ditë gjykim që është mbajt deri në ditën e sodit, gjykata edhe sot e kësaj dite e prolongon, e shtyn për me marrë në pyetje një dëshmitar tjetër që ka qenë shumë e saktë edhe ka qenë dëshmitar okular në vrasjen dhe masakrën e familjes Krasniqi që i ka bërë.. Shumë të panevojshme. Është marrë në pyetje, tri herë Nurije Krasniqi për masakrën që i ka bërë familjes Krasniqi, Morinës, edhe Shala. Herën e parë kur ka dëshmuar, këta nuk ishin të gatshëm për me bërë pyetje e kundërpyetje këta avokatët e të pandehurit, ndërsa të dytën dhe të tretën herë u mundojshin atje me gjet picra ato. E sidomos fjala përfundimtare me 21, të martën e kaluar, krejt pikë, presë, fjalë, fjalitë ngushtë, të zgjeruara me çka ka bërë mbrojtësi i të pandehurit, të gjitha pa vërteta”, tha ai.

Ai shtoi se asnjëherë nuk ka pranuar ndonjë procesverbal të seancave gjyqësore të mbajtura nga gjyqtari Valon Kurti, derisa thekson se ka filluar t’i pranojë ato nga kryetarja e trupit gjykues, Donika Shala- Avdyli.

Për të akuzuarin ai pret që gjykata të jep dënimin maksimal.

Gashi: Kam dyshim të madh që atje krejt diçka tjetër është shkruar

“Mua nuk më ka dhënë procesverbal që janë mbajt prej 8 të 2022-ës e ditën e sotit. Kam dyshim të madh që atje krejt diçka tjetër është shkruar, këtu është bërë krejt një pyetje tjetër… Mbas kësaj që e ka lëshuar kryetari i trupit gjykues Valon Kurti që është ardh kjo kryetarja e trupit gjykues, Donika Shala Avdyli, kjo ka filluar me na i dhënë ato procese për çdo për çdo seancë që është mbajtur. Jam i gatshëm çdo kohë, çdo moment që ballafaqohemi me drejtësinë dhe vetëm të drejtën. Presim që të japë dënimin e merituar, Dënim maksimal. E kemi pritë sot, ku jemi? Çka është kjo?“, tha ai.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të rihapë shqyrtimin gjyqësorë ndaj të akuzuarit Milorad Gjokoviq, i akuzuar për krime lufte. Kjo si shkak i mosgjetjes së një deklarate të dhënë nga dëshmitarja Nurije Krasniqi, në Institutin për krime lufte në Kosovë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Gjokoviqi dyshohet se gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatra të tjera të këtij regjioni, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masa të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë.

Në aktakuzën e përpiluar më 23 qershor 2023 thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim, përmes rrugës regjionale Pejë–Mitrovicë, kishin hyrë forcat e rregullta ushtarake, ndërsa nga ana perëndimore e fshatit, në drejtim të fshatit Vitomiricë, kishin hyrë grupe paramilitare të përziera edhe me pjesëtarë të njësive speciale ushtarake.

Sipas aktakuzës, këto forca kishin filluar të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile, me ç’rast ishin vrarë gjashtë civilë shqiptarë: I.K., Sh.K., E.M., R.Sh., Z.Sh. dhe M.H.

Po ashtu, tre civilë të plagosur nga të shtënat, A.G., H.G. dhe M.G., fillimisht ishin transportuar në Spitalin e Pejës, ndërsa më pas, sipas aktakuzës, ishin ekzekutuar dhe varrosur në fshatin Lutogllavë.

Ndërkaq, pesë civilë shqiptarë, R.K., Z.K., A.K., A.K. dhe A.Sh., dyshohet se ishin vrarë gjatë ofensivës, por trupat e tyre nuk janë gjetur dhe ata vazhdojnë të figurojnë si persona të zhdukur. 

Të Ngjashme