Lajme

Gashi: Verifikimi i numrit të civilëve të vrarë nuk është përgjegjësi e organizatave tona

Shkëlzen Gashi, autorë i ekspozitës në shesh të Prishtinës, për masakrat në Kosovë, ku u shfaqën të dhëna të pasakta ka dal me një sqarim.

Ai ka thënë se u janë referuar të dhënave nga  lista e hartuar nga organizata joqeveritare Humanitarian Laë Center (HLC), e udhëhequr nga Natasha Kandiç.

Gashi ka thënë se verifikimi i të dhënave nuk është përgjegjësi e tyre.

“Theksojmë se verifikimi i njëpërnjëshëm i statusit të secilës viktimë dhe i numrit të saktë të civilëve të vrarë nuk ka qenë dhe nuk është përgjegjësi e organizatave tona. Këto të dhëna janë marrë nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Laë Center, i cili i ka mbledhur ato përmes hulumtimeve në terren. Për rrjedhojë, u takon institucioneve të Kosovës që të hartojnë një listë zyrtare, të saktë dhe gjithëpërfshirëse të viktimave të luftës”, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë

Për fat të keq, gati tri dekada pas përfundimit të luftës, Kosova nuk e ka një listë të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë 1998-1999. Lista e vetme që kemi deri më tani është lista e hartuar nga organizata joqeveritare Humanitarian Laë Center (HLC), e udhëhequr nga Nataša Kandić, të cilën Kryetari i Komunës së Prishtinës ia ka dhënë çelësin e Prishtinës. Ne e kemi cituar këtë listë të Nataša Kandić-it sepse nuk kemi listë tjetër të të gjithë të vrarëve gjatë luftës në Kosovë.

Sipas kësaj liste në Burgun e Dubravës janë vra gjithsej 106 veta. Prej tyre, 58 figurojnë civilë e 48 figurojnë persona të armatosur. Si është e mundur që në Burg të Dubravës 48 prej civilëve të vrarë të figurojnë si pjesëtarë të armatosur? Pse janë regjistruar këta si persona të armatosur? Persona të armatosur në burg?

Për më keq, kjo mospërputhje nuk është e vetmja. Njëjtë ka ndodhur edhe në Masakrën e Mejës, ku numri i të vrarëve është 376 veta, por në listën e HLC-së figurojnë 349 civilë të vrarë, kurse 27 të vrarë figurojnë si të armatosur. Dihet botërisht që në Reçak forcat policore e ushtarake sërbe jugosllave kanë vrarë 45 civilë të pafajshëm shqiptarë, por në listën e të vrarëve të HLC-së së Nataša Kandić-it janë regjistruar 37 civilë shqiptarë e 8 janë regjistruar të armatosur. Mospërputhje të ngjashme vërehen edhe në masakra tjera: Kotlinë, Kaçanik, e të tjera.

Theksojmë se verifikimi i njëpërnjëshëm i statusit të secilës viktimë dhe i numrit të saktë të civilëve të vrarë nuk ka qenë dhe nuk është përgjegjësi e organizatave tona. Këto të dhëna janë marrë nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Laë Center, i cili i ka mbledhur ato përmes hulumtimeve në terren. Për rrjedhojë, u takon institucioneve të Kosovës që të hartojnë një listë zyrtare, të saktë dhe gjithëpërfshirëse të viktimave të luftës.

ADMOVERE dhe INTEGRA njoftojnë opinionin publik se ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999” është realizuar dhe vendosur në hapësirën publike me leje nga Komuna e Prishtinës, e cila ka të drejtë ta revokojë atë. Megjithatë, përgjegjësia për mungesën e një liste zyrtare dhe të saktë të viktimave të luftës në Kosovë u takon institucioneve të Kosovës, të cilat do të duhej prej kohësh të kishin përditësuar këtë listë të vetme ekzistuese, të hartuar nga organizata e Nataša Kandić-it dhe të kishin hartuar një listë zyrtare shtetërore.

Njëkohësisht, sqarojmë se donatorët e këtij projekti nuk kanë pasur asnjë rol në përmbajtjen e ekspozitës dhe, rrjedhimisht, nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për të. Përmbajtja e ekspozitës është hartuar në mënyrë të pavarur nga ADMOVERE dhe INTEGRA, mbi bazën e burimeve dhe metodologjisë së përshkruar më sipër.

Të Ngjashme