Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka deklaruar se në zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit, Kurti dhe Vetëvendosje nuk do të duhej të fitonin as 5%.
Për Gaxherin, me qeverisjen e Kurtit nuk ka pasur asnjë zhvillim në dobi të qytetarëve, por që sipas saj përkundrazi ka pasur ikje masive të qytetarëve nga Kosova.
“Ndodhë edhe 100% të shkojnë Vetëvendosja, nuk përjashtohet si mundësi, për shembull këta ekuacionet e tilla mund edhe t’i paramendojnë e t’i zgjidhin, ndonëse një ekuacion i fundit Kurtit nuk i doli aspak i saktë ashtu siç nuk i ka dal asnjë premtim i tij që e ka bërë për këtë vend për këto 4 vite. Dhe bazuar në këto ekuacione dhe premtime të Kurtit, në zgjedhjet e ardhshme do të duhej që Kurti dhe VV-ja të mos fitojnë as 5% se për 4 vite Kurti, asnjë projekt zhvillimor për këtë vend nuk e ka bërë, e as nuk ka pasur asnëj përqindje më të lartë të mirëqenies qytetare, as shtim të vendeve të punës, përkundrazi ikje masive të qytetarëve dhe të të rinjve nga Republika e Kosovës”, ka thënë ajo në emisionin “INFO NATA”, në Tëvë1.
Më tej Gaxherri, ka shtuar se Kosova mund të jetë e sigurt vetëm me qeverisjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas saj, kjo parti për 25 vite nuk e ka asnjë skandal të korrupsionit në asnjë fushë prandaj siç tha ajo, qytetarët duhet të besojnë në LDK-në.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, me ministrat e saj nuk e ka asnjë skandal, me kryetarët e komunave nuk e ka për 25 vjet asnjë skandal dhe është e vërtetë se ne si LDK nuk i kemi rreh këto gjëra shumë se kemi mendu se qytetarët nuk janë të vërbër dhe i dinë,por ndoshta këtë gjë duhet ta trumbetojmë pak më shumë dhe t’iu themi se vetëm me LDK-në, Kosova mund të jetë e sigurtë, larg korrupsionit e skandaleve tjera. LDK-ja nuk ka asnjë skandal të korrupsionit kurrë në asnjë fushë, e këtë duhet ta përsërisim por unë po e shoh që duhet ta përsërisim çdo ditë. Prandaj, qytetarët duhet të mendojnë për LDK-në sepse jemi shumë të përgatitur”, ka theksuar Gaxherri.
Anëtarja e kryesisë së LDK-së, po ashtu, ka thënë se si parti nuk synojnë që të marrin përqindje të madhe, mirëpo janë duke punuar si dhe besojnë se rezultati i tyre, duhet të rritet më shumë në zgjedhjet e ardhshme.
“Ne e kemi një rezultat pas rezultatit të 14 shkurtit, që jemi partia e parë politike dhe ne kemi punuar në atë drejtim, që ne jo vetëm ta ruajmë atë rezultat por edhe ta rrisim. Nuk po pretendojmë që t’i marrim 70 e 80%, por ne kemi të drejtë të besojmë se rezultati i zgjedhjeve lokale, duhet të rritet në zgjedhjet nacionale me punën tonë”, ka thënë ajo./teve1.info/