Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) ka publikuar në numrin e së mërkurës një analizë politike mbi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke vënë në qendër të vëmendjes ambicien e saj për të fituar një mandat të dytë.
Sipas artikullit të gazetarit Michael Martens, Osmani po përpiqet të demonstrojë afërsinë me familjen presidenciale të Shteteve të Bashkuara për të fuqizuar profilin e saj ndërkombëtar dhe për të siguruar rizgjedhjen. Artikulli thekson lidhjet e presidentes me ish-presidentin Donald Trump dhe familjen e tij.
“Por kalkulimi i saj mund të dështojë – edhe pse ajo arriti që Kosovën ta bëjë një nga shtetet që së fundmi në Davos iu bashkuan ‘Bordit të Paqes’ enigmatik të Donald Trumpit,” shkruan FAZ. “Osmani u shfaq në Zvicër me krenari krah presidentit amerikan dhe që atëherë flet për arritjen e madhe që, sipas saj, përfaqëson fakti se vendi i saj u bë anëtare themeluese e këtij formacioni.”
Pas publikimit të artikullit, Presidenca e Kosovës ka reaguar zyrtarisht. Këshilltari i presidentes, Rinor Nuhiu, njoftoi se po shqyrtohen masa ligjore ndaj gazetarit për shkrimin e tij, duke e cilësuar pretendimin se Osmani po përdor “kartën amerikane” për të siguruar një mandat të dytë si të papërshtatshëm dhe të pasaktë.
Nga ana e tij, gazetari Michael Martens ka reaguar përmes rrjetit social X, duke theksuar se qëndron pas raportimit të tij dhe se shkrimi pasqyron një analizë politike, jo një sulm personal:
“Mësoj e mësoj. Jam në gazetari prej 30 vitesh, kam jetuar dhe punuar në vende të vështira si Rusia, Afganistani apo Turqia, duke shkruar për oligarkët rusë, kriminelët e luftës serbë, kontrabandistët malazezë të cigareve, rebelët kurdë, krerët e luftës në Afganistan, pa u paditur kurrë. Por tani…”, u shpreh Martens.
Ky rast ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe ka ndezur debat për raportimin mbi figurat politike në Kosovë dhe mënyrën se si media ndërkombëtare trajton ndikimin e faktorëve të jashtëm në politikën vendore.