Gazetari Adriatik Riza Dosti ka publikuar një reagim të gjatë kritik në formën e një thirrjeje publike drejtuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke i kërkuar asaj të sqarojë një sërë çështjesh politike që, sipas tij, kanë ngritur pikëpyetje në opinionin publik shqiptar.
Në shkrimin e tij, Dosti i bën thirrje presidentes që të dalë publikisht dhe të flasë hapur për zhvillimet e fundit politike, marrëdhëniet me aktorët kryesorë në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe për vendimet e marra në një moment të tensionuar të jetës politike në vend.
Një nga çështjet kryesore që ngre gazetari lidhet me mungesën e mbështetjes së opozitës për kandidimin apo rizgjedhjen e mundshme të Osmanit në poste të rëndësishme institucionale. Ai pyet se si është e mundur që, sipas tij, nga opozita – përfshirë Lumir Abdixhikun, Bedri Hamzën dhe Ramush Haradinajn – nuk u siguruan as firmat për kandidim, ndërkohë që mbështetje kishte ardhur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti.
Sipas Dostit, presidentja duhet të shpjegojë edhe marrëdhënien aktuale politike me Kurtin dhe arsyet pse, sipas pretendimeve të ngritura, ai nuk pranoi ta mbështesë më në një rikandidim të mundshëm.
Postim i plotë:
Dil e fol, Vjos…
Dhe fol siç është për të folur.
…Dil e fol e thuajua shqiptarëve, e veçmas Kosovës e kosovarëve, të gjitha, ashtu siç të vërtetat janë për t’u thënë.
Dil e thuajua me guxim politik e qytetar… të vërtetën lakuriq.
Dil e na thuaj si ka mundësi që prej opozitës… Lumirit, Bedriut e Ramushit, ti nuk more dot as nënshkrimet e tyre për kandidim, e jo më të merrje votat e tyre në parlament për rizgjedhje, ndërkohë që LVV e Albini t’i dhanë krejt ç’ka deshe, e ti, në vend që të merreshe me të parët, iu turre të dytëve…
Dil e fol siç është për të folur, o Vjosë, e jo ashtu siç bëre te Çimi i Syrit e te ekrani i Batonit.
Dil e thuaju të vërtetën shqiptarëve, o Vjosë… pse Kurti nuk pranoi të rikandidojë me ty… pse e le Ramën të flasë në emrin tënd e të Kosovës në BP në Washington… e pse Rama, miku yt i sotëm për kokë (ani pse të mori në qafë e të bëri pis si vetja), e parlamenti i tij nuk pranojnë ta votojnë e miratojnë Rezolutën e gjenocidit serb në Kosovë.
Dil e thuaju shqiptarëve, o Vjosë, se kush të nxori në mitingjet në mbrojtje të Thaçit në Tiranë, në krah të Ali Ahmetit, e në Prishtinë në krah të Taulant Ballës… dhe pse?
Dil e thuajua shqiptarëve, o Vjosë, se kush ta ka premtuar postin e presidentes, të kryetares së Kuvendit e të ministres së jashtme të Shqipërisë, dhe pse, e në këmbim të ç’kaje.
Fol të vërtetën, Vjosë, e mjaft më me historitë e… “a doni më për Belulin”.
Dil e thuaju shqiptarëve: a është i vërtetë fakti se Abdixhiku e LDK-ja e tij t’i kanë premtuar të 14 votat e tyre në parlament për rizgjedhjen tënde si presidente, me kushtin që ti të ngulësh këmbë e t’i bësh presion Albinit që 8 ministra t’ia japë LDK-së, e në këtë mënyrë Kosova të ketë dy qeveri paralele… një të Albinit e një të Lumirit…
E për këtë ke marrë refuzimin e prerë prej Kurtit: JO!
Dil, Vjosë, e thuaju shqiptarëve: a është i vërtetë fakti se Rama nuk erdhi në Prishtinë as për të mirën e Kosovës e as të kosovarëve, por thjesht për të bërë pazare të pista lobimi me ty… në mënyrë që ti ta afroje me Amerikën e Trumpin, e ai të bindte partinë e mikut të tij Thaçi që të mbështeste ty në rizgjedhje… e t’i bënte presion Kurtit për rizgjedhjen tënde.
Ç’ka ky i fundit e refuzoi kategorikisht… dhe mirë bëri.
Dil e u thuaj shqiptarëve pse, brenda një jave, erdhën me aq ngut në Prishtinë e u takuan veçmas kokë më kokë me ty katërshja Rama – Begaj – Peleshi – Spiropali… ç’mesazhe të sollën e të përcollën ata, dhe ç’qe gjithë kjo emergjencë mbarëkombëtare?
Sepse Rama po plaste që ai të çonte deri në fund planin e tij të zi anti-Kosovë e anti-Kurti, thurur së bashku me Vuçiçin, Macronin, Grenellin, Thaçin, Batonin e së fundi edhe me ty.
Si ka mundësi që ti u bëre kaq shpejt e befasisht mike me Grenellin, armikun e mikut tënd Albinit?
Dhe, për fatin tonë të keq, Rama e lloj-soji i tyre antishqiptar duket se ia arritën qëllimit.
Ndryshe s’ka si shpjegohet fakti që ti e prite Ramën me tapet të kuq, puthje e përqafime… e e përcolle edhe me konferencë shtypi në krah të tij…
Ndërsa Albini e priti korrektësisht, sa për të mos e ofenduar personin që mban postin e kryeministrit të Atdheut-mëmë… por jo rastësisht as e përcolli e as pranoi të jepte konferencë shtypi në krah të tij.
Dil e fol, Vjosë, e thuaju shqiptarëve, se e ke edhe detyrim ligjor para tyre, dhe është e dënueshme heshtja e fshehja jote… ç’deshe ti në një tavolinë me Gjuriqin, Grenellin, Spiropalin e Begajn… për çfarë u fol e u diskutua aty, kur dihet se dy të parët janë armiq të betuar të Kosovës, e dy të dytët vegla qorre e besnike të Vuçiçit shqiptar Rama… gjithashtu armik i Kosovës.
Sepse, që ta dish mirë ti, Rama vdes në vend po të shohë dy shqiptarë të zakonshëm që shkojnë mirë me njëri-tjetrin, o Vjosë, e jo më të pranonte dyshen Kurti – Osmani të ishte mbi të.
Dil e fol, Vjosë: si pranove ti që të presësh në zyrën tënde vetëm krerët e opozitës, e pa praninë e partisë në pushtet, LVV-së e kryeministrit të vendit Kurti, të shpallësh publikisht dekretin e shpërndarjes së parlamentit, e madje të bësh publike edhe datat e mundshme të zgjedhjeve të reja?
Kush të tha të veprosh kështu, kush të bëri presion e të shantazhoi… kush t’i futi në kokë “trutë e gomarit”… e kujt ia çove ujin në mullirin e tij?
Dil e fol, Vjosë… kur the që “ka njerëz të rrezikshëm që qëllimisht po e çojnë vendin në situata të tilla”… për kë konkretisht e kishe fjalën?
Dil e fol, Vjosë, me aq sa di ti: përse B. Hamza e tradhtoi Ramën dhe PDK-ja e tij nuk preferoi të mbështeste ty, por… e pa të udhës që më mirë të dëmtonte sa të mundte LVV-në në pushtet, Albinin kryeministër, e t’i gëzohej shpërndarjes së parlamentit.
Dil e fol, Vjosë… pse nuk guxove as ta pohosh e as ta mohosh atë deklaratë bombë të Ramës, bash në shtëpinë tënde, se… ti e zyra jote jeni kërcënuar… nga kush, kur dhe pse?
Dil e fol, Vjosë: për meritë a për dobësi të kujt… si ia arriti qëllimit Pashiqi shqiptar, Rama… ta përçajë dyshen Kurti – Osmani… dyshe tek e cila fort e me besim të madh e gjithë shqiptaria kishte shpresë se shumë shpejt Shqipëria e vërtetë do bëhej, madje ashtu siç e meriton të jetë.
Dil e fol siç flitet, Vjosë… e lëri përrallat, aq më shumë mburrjet, por edhe mashtrimet e gënjeshtrat.
A.R.D.
