Lajme

Gazi lotsjellës më 2015 në Kuvend- Konjufcës, Lekajt, Baftiut dhe Dërgutit u parashkruhet një vepër penale!

Vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 22 shkurt 2016 ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deputetit Pal Lekaj, si dhe ish-deputeteve Besa Baftiu dhe Aida Dërguti, është parashkruar më 14 dhjetor 2021.Në këtë rast, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deputetët Pal Lekaj dhe Time Kadrijaj, si dhe ish-deputetet Besa Baftiu, Aida Dërguti dhe Teuta Haxhiu, akuzohen për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në objektin e Kuvendit në dhjetor të vitit 2015, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Konjufca, Lekaj, Baftiu dhe Dërguti akuzohen se më 14 dhjetor 2015 rreth orës 10:00 pasi që përdorin gazin lotsjellës, duke pamundësuar qëndrimin e deputetëve brenda sallës së Kuvendit dhe Kryesisë për miratimin e ligjeve sipas rendit të ditës, përkundër vullnetit të deputetëve të cilët nuk kanë mundur t’i rezistojnë atmosferës së krijuar, për çka ka pasur ndërprerje të punimeve dhe zhvendosje të deputetëve nga sallat plenare.Andaj me këto veprime, të njëjtit ngarkohen për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës (KPK).

Prandaj, duke u nisur nga data se kur është kryer vepra penale nga të akuzuarit, konkretisht 14 dhjetor 2015 dhe bazuar në Kodin Penal, ku në nenin 106 përcaktohet çështja e parashkrimit të veprave penale, del se kjo vepër është parashkruar më 14 dhjetor të vitit 2021.Vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës, të vitit 2012, parasheh dënueshmërinë prej 3 muaj deri në 3 vite burgim.

“Kushdo që me forcë apo kanosje serioze, pengon ose tenton të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare ose duke përdorur mjetet e njëjta e detyron atë të kryejë detyrën zyrtare, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet”, thuhet në nenin 409 të KPK-së.Andaj, duke llogaritur afatin e parashkrimit, del se parashkrimi relativ i këtyre veprave bëhet pas 3 viteve, ndërsa parashkrimi absolut bëhet pas 6 viteve nga kryerja e veprës penale.

“tre (3) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se një (1) vit burgim” thuhet në kapitullin e dhjetë, neni 106, pika 1.5, që flet për parashkrimin relativ të ndjekjes penale.Afër parashkrimit, për të akuzuarat Teuta Haxhiu dhe Time Kadrijaj del të jetë edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila si vepër penale parasheh dënim me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në 5 vjet.

Parashkrimi relativ për këtë vepër penale del të jetë 5 vjeçar, ndërkaq ai absolut 10, duke rrezikuar kështu që më 15 dhjetor 2025 të parashkruhet si vepër penale, pasi që vepra sipas aktakuzës është kryer më 15 dhjetor 2015.“Pesë (5) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre (3) vjet burgim”, thuhet në kapitullin e dhjetë, nenin 106, pika 1.4 të KPK-së, që flet për parashkrimin relativ të ndjekjes penale.

Ndërkaq, vepra penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të KPK-së me të cilën ngarkohen Konjufca, Lekaj, Baftiu dhe Dërguti, e cila vepër parasheh dënueshmërinë me burgim prej një deri në tetë vjet, mund të parashkruhet më 14 dhjetor 2035.Kjo pasi që parashkrimi relativ për këtë vepër penale është 10 vjet, ndërkaq ai absolut 20 vjet.

“dhjetë (10) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se pesë (5) vjet burgim”, thuhet në kapitullin e dhjetë, nenin 106, pika 1.3 të Kodit Penal që flet për parashkrimin relativ të ndjekjes penale.Në çfarë faze gjendet procesi gjyqësor ndaj gjashtë të akuzuarve?

Më 23 tetor 2024 ishte caktuar seanca për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, mirëpo për shkak të mungesës së Konjfucës, Lekajt, Kadrijajt, Baftiut e Dërgutit, seanca dështoi.Lidhur me këtë aktakuzë, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kuptuar se cili gjykatës/e e ka pasur lëndën në shqyrtim, sa seanca ka caktuar prej ngritjes së aktakuzës, sa kanë dështuar e cilat janë arsyet e dështimit të tyre, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kemi pranuar përgjigje.

Aktakuza e plotë ndaj Konjufcës, Lekajt, Baftiut, Dërgutit, Haxhiut dhe KadrijajtSipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 22 shkurt 2016, thuhet se Glauk Konjufca, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Aida Dërguti kishin përdorur armën (gazin lotsjellës) në kundërshtim me ligjin, në atë mënyrë që më 14 dhjetor 2015 rreth orës 10:00 pas hapjes së mbledhjes plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Konjufca, Lekaj dhe Baftiu, ndërsa në ora 11:00 Dërguti, në sallën plenare të Kryesisë së Kuvendit, paraprakisht kishin aktivizuar armën për shpërndarjen e gazit irritues, ku për pasojë ishte liruar gazi lotsjellës, me këtë rast deputetët e pozitës kishin lëshuar sallat.

Prandaj, me këto veprime të njëjtit ngarkohen me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës.Kurse, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se Glauk Konjufca, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Aida Dërguti më 14 dhjetor 2015 rreth orës 10:00 pasi që përdorin gazin lotsjellës të përshkruar si në pikën e parë të aktakuzës, duke pamundësuar qëndrimin e deputetëve brenda sallës së Kuvendit dhe Kryesisë për miratimin e ligjeve sipas rendit të ditës, përkundër vullnetit të deputetëve të cilët nuk kanë mundur t’i rezistojnë atmosferës së krijuar, për çka ka pasur ndërprerje të punimeve dhe zhvendosje të deputetëve nga sallat plenare.

Andaj me këto veprime, të njëjtit ngarkohen edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.Gjithnjë sipas aktakuzës, në dispozitivin e fundit thuhet se Teuta Haxhiu dhe Time Kadrijaj më 15 dhjetor 2015 kishin në posedim armën (gazin lostjellvs) dhe me t’u hapur mbledhja në sallën e kryetarit të Kuvendit të Prepublikës së Kosovës, fillimisht Haxhiu pasi e ka pasur në posedim armën-gazin lotsjellës, të njëjtin ia jep Kadrijajt, e cila po ashtu e mban në posedim dhe pastaj ia dorëzon të akuzuarit Lekaj i cili më pastaj e përdorë të njëjtin të përshkruar si në pikën e parë të aktakuzës.

Prandaj me këto veprime, Haxhiu dhe Kadrijaj po ngarkohen me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës.Proceset tjera të parashkruara:

Gjykimi i këtyre rasteve po del të jetë sfidues për Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që e parashkruar del të jetë edhe aktakuza tjetër e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj Kryekuvendarit Konjufca për veprën penale “Pengim i pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.Ndërkaq në Apeli, për të njëjtën aktakuzë, por për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, rasti po pret epilog pasi që Themelorja e kishte liruar Konjufcën nga kjo vepër penale, e për të cilin vendim ka ushtruar ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Po ashtu, për Xhelal Sveçlën dhe tre deputetët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi ishte parashkruar vepra e njëjtë penale më 21 mars 2024, duke vazhduar kështu gjykimi për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.Sveçlës dhe të tjerëve, u është parashkruar edhe një vepër tjetër penale në një aktakuzë tjetër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe atë për huliganizëm gjatë protestave të VV-së më 2013.

Po ashtu, për shkak të parashkrimit, Apeli ka refuzuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në rastin e sulmit të Xhavit Haliti ndaj Arben Gashit.Edhe për deputetin Valon Ramadani, del të jetë parashkruar vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe atë më 21 mars 2023, e që seanca e fundit për këtë rast del të jetë mbajtur më 23 shkurt 2024.

Për seancat e radhës për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Peneal ndaj Ramadanit, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar kërkesë për informata në gjykatë për të kuptuar nëse është mbajtur ose pritet të mbahet ndonjë seancë. Por, s’kemi pranuar përgjigje.