Lajme

Geci: Vëllait i kanë ndodhur disa raste të improvizuara nga këta njerëz, është i dënuar për vrasjen që e ka bërë duke u mbrojtur

Fadil Geci tha se vëllait të tij, Ganiut i kanë ndodhur disa raste të improvizuara nga personat që janë në Hagë, të cilët sipas tij kanë tentuar ta vrasin.

Këtë deklaratë, dëshmitari e bëri kur u pyet se a është në dijeni që Rexhep Selimi më 4 mars 2016 ka thënë se Gani Geci është vrasës serial, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Këtu po thotë që e paska quajt ashtu dhe në bazë të komunikatës, ndryshe nuk ke mujt me e quajt”, tha Geci.

Si rrjedhojë, avokati Luka Mishetiq pyeti dëshmitarin se a ka qenë vëllai i tij Ganiu i dënuar më përpara për vrasje.

“Ganiut-vëllait i kanë ndodhë do raste të improvizume prej këtij grupi që kanë tentu me e vra dhe është mbrojtë. E ka mbajtë dënimin, po është dënu 3 vite e gjysmë dhe e ka mbajtë dënimin. Në vetëmbrojtje nga një grup i mirëorganizuar dhe i paguar nga ky Shtab, nga këta njerëz, nga ky njeri që është këtu sot. Ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i tij, ai vrasësi”, tha Geci.

Dëshmitari pohoi se vëllai i tij, Gani Geci është i dënuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Përpara të gjithë kësaj, Mishetiq i tha dëshmitarit se për ZPS-në ai ka thënë që ata kanë pasur një problem me Rexhep Selimin në Jabllanicë sa i takon furnizimit me armë.

“Asnjë problem nuk e kemi pas. U kanë një mashtrim. Jena kanë tanë unik, i kam besu, s’u dalë qashtu. Kurrgjë nuk ka të keqe. Nuk është konflikt i madh ajo. S’është kurrgjë”, tha Geci.

Më pas, Mishetiq i tha dëshmitarit se në një intervistë më ’99-ën, Selimi ka thënë që Gani Geci është përpjekur që ta vriste.

“Ka qenë rreptësisht e kundërta. Ai ka qenë përfaqësues i LPK-së. Ne kemi qenë përfaqësues i i shtetit dhe LDK-së dhe ka pas mendime të kundërta. Me Rexhep Selimin jemi takuar disa herë edhe në Llaushë. Kam pas mendime krejt të kundërta. S’është konflikt që ki mendim të kundërt e as nuk është luftë”, tha Geci.

Geci tha se atë intervistë që e ka dhënë Rexhep Selimi ka gabuar dhe që një gjë të tillë duhet ta pranojë.

“Besoj që e pranon edhe vetë që ka gabu. Unë mendoj që duhet me e pranu që ka gabu dhe këto tjerat u panë dhe po shihen se kush, çka. Unë kam mendim të kundërt me Rexhep Selimin, rreptësisht. Ai ka qenë përfaqësues i majtë i LPK-së, unë jam i qendrës së djathë i LDK-së dhe i 90% e popullit të Kosovës”, tha Geci.

Mishetiq pyeti dëshmitarin për një deklaratë të tij në të cilën ai kishte thënë se Rexhep Selimi në intervistën e tij i kishte përsëritur fjalët e Hashim Thaçit kur ka thënë se “Vrasja e komandantit Sandokan është një ndër vrasjet tradhtare që janë me personat e ngjashëm me historinë ku tradhtarët vrasin burra me emër”.

Dëshmitari tha se Thaçi të njëjtat fjalë i ka thënë në komunikatën 59.

“Thaçi i ka thënë në komunikatën 59. Këto fjalë i ka thanë në komunikatën 59. Këto fjalë të Rexhep Selimit, komandanti Selimi i ka demantu. E ka djalë të mixhës Rexhën. Ka thanë që ka gabu dhe nuk është ashtu se çka ka thanë edhe e falënderojmë komandant Selimin kur e ka thënë një të vërtetë. E ky i ka thanë fjalët e Hashimit dhe ka gabu që ka fol edhe e ka vërtetu që ka gabu kur ka thënë”, tha Geci.

Geci u pyet gjithashtu për deklaratën e Rexhep Selimit ku kishte thënë se Ganiu ishte përpjekur që ta vrasë edhe atë në të njëjtin vend ku ishte vrarë Abedin Rexha.

“Nuk besoj që është ajo e vërtetë, pyetni Ganiun kur të vjen”, u përgjigj Geci.