Lajme

Gërvalla: Hapja e ambasadës sonë në Kolumbi, rezultat historik

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka quajtur rezultat historik hapjen e ambasadës së Kosovës në Kolumbi.

Ndërkohë, ajo ka bërë të ditur se inaugurimin e saj do ta bëjë sonte presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

“Ndihem e gëzuar dhe krenare të njoftoj që puna dhe përgatitjet tona intensive kanë çuar sot në një rezultat historik: në Bogota, Kolumbi, Republika e Kosovës po hap ambasadën e saj në një tjetër vend të rëndësishëm në Amerikën Jugore. Ndihem shumë e nderuar që Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu do të bëjë sonte inaugurimin e ambasadës”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Tutje, ajo tha se hapja e ambasadës së Kosovës në Kolumbi “shënon një moment të rëndësishëm në strategjinë tonë për të zgjeruar praninë globale dhe për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”./teve1.info/