Lajme

Gërvalla: Në Koshare u largua përgjithmonë guri i ndarjes që u vendos me dhunë

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka bërë hoomazhe dhe ka marrë pjesë në organizimin përkujtimor me rastin e 27-vjetorit të Betejës së Koshares.

Ajo ka thënë se kjo betejë është një nga momentet pa të cilët historia do të ishte zhvilluar ndryshe.

“Në Koshare u largua njëherë e përgjithmonë ai guri i ndarjes që për dekada na ishte imponuar me dhunë. Në një luftë të pabarabartë me një ushtri të armatosur deri në dhëmbë u godit një regjim që mendonte se Kosovën mund ta mbante të poshtruar, të nënshtruar dhe parrugëdalje dhe u dëshmua se liria e këtij vendi nuk do të mbetet peng i asnjë kufiri të padrejtë dhe i asnjë pushtuesi sado i fortë ushtarakisht.”, ka thën Gërvalla.

Ajo ka shtuar se Beteja e Koshares e zë një vend të veçantë në kujtesën historike dhe shtetërore të Republikës së Kosovës.

“Jo vetëm për guximin e jashtëzakonshëm që u tregua aty, jo vetëm për strategjinë e rrallë ushtarake që çojë në fitore, por sepse aty u dëshmua se liria e Kosovës nuk po kërkohej më si e drejtë morale e politike, por po mbrohej dhe po fitohej në fushëbetejë me ushtarë dhe oficerë trima, të përgatitur, liridashës deri në vetëflijim.”, ka deklaruar ajo. /Klankosova.tv

Të Ngjashme