Ministrja e Drejtësisë, Donika Gervalla-Schwarz, ka reaguar pas publikimit në media të një audio-incizimi nga takimi i U.D. Kryeprokurorit të Shtetit me kryeprokurorët e prokurorive më 20 janar 2026, duke e cilësuar këtë si një tregues shqetësues dhe pasqyrë e gjendjes në të cilën ende ndodhet sistemin prokurorial.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja ka theksuar se reforma në sistemin prokurorial dhe atë të drejtësisë mbetet ndër top prioritetet e Republikës së Kosovës. Ajo ka kujtuar se më 5 qershor 2025, ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës hynë në fuqi, duke shënuar fillimin e jetësimit të reformave në sistemin prokurorial.
Sipas Gërvallës, reformimi i sistemit prokurorial, kishte filluar pikërisht për të eliminuar korporatizmin dhe grupacionet e ndryshme në sistem, por gjithashtu, për të forcuar drejtësinë dhe për të rritur profesionalizmin, llogaridhënien dhe transparencën e sistemit prokurorial.
“Gjuha dhe diskutimet denigruese të krerëve dhe ish-krerëve të sistemit prokurorial, kundërshtimi dhe rezistenca e tyre e vazhdueshme ndaj reformave dhe mungesa e vullnetit për zbatimin e tyre, paraqesin rrezik serioz dhe cenojnë rëndë integritetin dhe funksionimin profesional të sistemit prokurorial”, ka shkruar ministrja.
Ajo ka dënuar ashpër këtë gjuhë denigruese, që sipas saj është në kundërshtim me etikën dhe standardet profesionale të prokurorit, dhe gjithashtu ka kërkuar zbatimin e reformave dhe ndryshimeve ligjore tashmë në fuqi, për t’i dhënë sistemit prokurorial profesionalizmin, llogaridhënien dhe efikasitetin e munguar.
“Nuk ndalemi së përsërituri se reformat në drejtësi janë dëshmi e vendosmërisë tonë për të ndërtuar një shtet ku ligji nuk negocion, ku përgjegjësia nuk shmanget dhe ku drejtësia nuk njeh emër, pozitë apo ndikim”, ka përfunduar Gërvalla.
