Lajme

Gërvalla pas seancës së KS-së, udhëton në Kanada për konferencën e Ukrainës

Pas Seancës së Këshillit të Sigurimit, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka udhëtuar për në Kanada, ku po merr pjesë në konferencën për Ukrainën.

Sipas komunikatës së MPJD-së kjo konferencë është organizuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly, në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrii Sybiha.

Në komunikatë bëhet e ditur se kjo konferencë mbledh ministra të punëve të jashtme nga e gjithë bota për të zhvilluar vizionin e përbashkët për paqe. Synimi kryesor i kësaj konference është të zhvillojë masa konkrete për kthimin e robërve të luftës, civilëve të ndaluar në mënyrë të paligjshme dhe fëmijëve të deportuar ukrainas në vendin e tyre, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtave të njeriut.

“Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë konferencë dëshmon përkushtimin tonë në mbështetjen e një paqeje të qëndrueshme, solidaritetin e Kosovës me popullin ukrainas, mbështetjen përmes programeve që po implementojmë si dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe stabilitet”, thuhet ndër të tjera./teve1.info/