Donika Gërvalla, ministre në detyrë e Drejtësisë, ka komentuar deklaratën e Fatos Gecit, kandidat për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me të akuzuarit që po gjykohen në Hagë.
Duke folur në emisionin “Këndi i debatit”, Gërvalla u pyet për deklaratën që Geci kishte bërë në një seancë të Kuvendit të Kosovës, në ditën kur ishte shpallur vendimi përfundimtar për rastin e Liridona Ademajt.
Në atë seancë, gjatë një debati për Partinë Demokratike të Kosovës, Geci kishte deklaruar se edhe personat që ndodhen në Hagë duhet të marrin “vendim të njëjtë”, duke iu referuar dënimit me burgim të përjetshëm të Naim Murselit.
Lidhur me këtë deklaratë, Gërvalla tha se e respekton atë që ka thënë Geci, duke përmendur historinë dhe sakrificën e familjes së tij.
“Fatosi, në përgjithësi familja Geci nga Llausha, ka një histori të dhimbshme të pasluftës dhe gjatë luftës. Edhe unë, pa dashur të bëj avokatin e as gjykatësin e Fatos Gecit, e respektoj atë çfarë thotë Fatosi, sepse e respektoj përvojën dhe biografinë e familjes së tij. Mendoj që ajo pjesë e historisë sonë më të re është pjesë e historisë së Republikës së Kosovës, pjesë e një sakrifice të jashtëzakonshme që kanë bërë disa familje të mëdha në Kosovë. Kështu që Fatos Geci është njëri nga zërat e ndryshëm në këtë listë”, ka thënë Gërvalla.
