Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se pretendimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me një incident gjatë fushatës zgjedhore në Skenderaj, janë “plotësisht të vërteta”.
Kurti dy ditë më parë në një intervistë deklaroi se gjatë fushatës së zgjedhjeve të dhjetorit, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, kishte tentuar të godiste me veturë eskortën e tij.
Sipas Gërvallës, në incident kanë qenë të përfshirë edhe pjesëtarë të kabinetit të saj të atëhershëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
“Ajo çfarë ka thënë dhe siç e përshkruan Kurti është plotësisht e vërtetë. Ka pasur një skenë me veturë, është e vërtetë sepse në një nga veturat shumë afër ka qenë një pjesë e ekipit tim të kabinetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ka dëshmitarë pafund për atë që ka ndodhur dhe jo vetëm çështja me veturën, por ka pasur edhe skena që janë përpjekur të pengojnë tubimet”, ka deklaruar Gërvalla.
Duke komentuar padinë për shpifje që Lushtaku ka paralajmëruar ndaj Kurtit, Gërvalla ka thënë se kjo është e drejtë e tij, por ka shtuar se askush nuk është mbi ligjin dhe nuk mund të sillet si “pronar” i një rajoni.
“Po le ta padisë Sami Lushtaku, sepse askush nuk është pronar as i Drenicës, as i Llapit e as i Dukagjinit. Ai sillet absolutisht si pronar i Skenderajt. Gjuha që përdor, si shprehja ‘kudrat e zagarëve’, është e papranueshme. Lehtë është të shkosh dhe të sulmosh me sjellje banditeske një anëtar të Qeverisë, por kjo nuk duhet të kalojë pa ndëshkim, sepse askush nuk qëndron mbi ligjin në vendin tonë. Kanë vdekur kohët kur individë e kanë parë veten duke qëndruar mbi ligjin”, ka thënë ajo.
