Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas vdekjes së Hafiz Gagicës.
Në një postim në Facebook, Gërvalla e ka vlerësuar Gagicën si një figurë të rëndësishme në procesin e çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës, me kontribut të veçantë në mërgatën shqiptare në Gjermani.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit, pas një sëmundjeje të rëndë, është ndarë nga jeta Hafiz Gagica”, ka shkruar ajo.
Ajo theksoi se “emri dhe veprimtaria e tij mbeten të pandashme nga lufta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, duke shtuar se qindra mijëra shqiptarë në mërgatë janë dëshmitarë të kontributit të tij.
Gërvalla ka shprehur ngushëllime të thella për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e të ndjerit, duke e cilësuar ndarjen e tij nga jeta si “humbje të madhe për Republikën e Kosovës”.
